Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga Klemend Balili, duke lënë në fuqi dënimin me 10 vite burg për disa vepra të rënda penale. Vendimi i fundit e bën të formës së prerë dënimin e tij, që u dha fillimisht më 17 tetor 2019 nga Gjykata e Posaçme.
Balili, i njohur si “Eskobari i Ballkanit”, u shpall fajtor për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë “trafikim i lëndëve narkotike në bashkëpunim”, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “refuzim për deklarim ose fshehje të pasurisë” dhe “pastrim të parave”. Ai akuzohej për organizimin e rrjeteve të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe përfshirjen në aktivitete të tjera kriminale që kishin sjellë përfitime të paligjshme.
Gjykata gjithashtu e ka cilësuar atë përgjegjës për fshehjen e pasurive të krijuara nga veprimtaria kriminale, duke shkelur ligjin mbi deklarimin e pasurisë dhe ndjekjen e procedurave ligjore financiare.
Klemend Balili ishte një ndër të shumëkërkuarit më të njohur në Ballkan për aktivitetin e tij kriminal, ndërsa arrestimi dhe ndjekja e tij përbënin një ndër prioritetet kryesore të organeve ligjzbatuese në Shqipëri dhe jashtë saj. Pas konfirmimit të vendimit nga Gjykata e Lartë, ai do të vuajë tërësisht dënimin e dhënë prej 10 vitesh burg.