Gjykata e Lartë të hënën riktheu emrin e ish Presidentit Donald Trump në fletëvotimet e zgjedhjeve paraprake në garën presidenciale të këtij viti, duke hedhur poshtë përpjekjet e disa shteteve për ta mbajtur përgjegjës zotin Trump për trazirat në Kapitol.
Një ditë para zgjedhjeve paraprake të Super të Martës, gjykatësit vendosën se shtetet nuk mund të fusin në përdorim nenet e Kushtetutës të shkruara pas Luftës Civile amerikane, për të hequr nga fletëvotimi kandidatët presidencialë. Sipas Gjykatës së Lartë, kjo e drejtë i takon Kongresit.
“Fitore e madhe për Amerikën!!!” shkruajti zoti Trump në platformën e tij sociale menjëherë pas shpalljes së vendimit.
Ky vendim u jep fund përpjekjeve në shtetet si Kolorado, Illinoi dhe Mein për ta hequr emrin e zotit Trump nga fletëvotimi, ndërsa ai është kandidati kryesor republikan për të fituar emërimin e kësaj partie, për shkak të përpjekjeve të tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 kundër kandidatit demokrat Joe Biden, përpjekje që kulmuan me sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol.
Çështja e zotit Trump përbën herën e parë që Gjykata e Lartë shqyrton një nen të Amendamentit të 14-të, të miratuar pas Luftës Civile, që synonte t’ua ndalonte ish zyrtarëve që kishin poste publike dhe që “morën pjesë në kryengritje”, rikthimin në poste të tilla.
Gjykata e Lartë e Kolorados, në një vendim historik, kishte vendosur se ky nen mund të zbatohej në rastin e zotit Trump, i cili sipas kësaj gjykate, nxiti sulmin në Kapitol. Asnjë gjykatë në të kaluarën nuk e ka zbatuar këtë nen ndaj një kandidati për president.
Disa vëzhgues të proceseve zgjedhore kanë paralajmëruar se një vendim që lë hapur mundësinë e veprimit të Dhomës së Përfaqësuesve për të zbatuar këtë nen, ka gjasa të mundësojë një mosmarrëveshje të re rreth përdorimit të tij për të skualifikuar zotin Trump në rast se ai i fiton zgjedhjet. Sipas një skenari të mundshëm, një Dhomë e Përfaqësuesve me shumicë demokrate mund të mos certifikojë zgjedhjen e zotit Trump më 6 janar të vitit 2025, bazuar tek ky nen.
Kjo çështje pastaj do t’i rikthehej Gjykatës së Lartë, ndoshta mes një krize të thellë kushtetuese.
Palët kishin kërkuar që gjykata të vepronte me shpejtësi. Gjykata dëgjoi argumentet e palëve më 8 shkurt, para më pak se një muaji. Që atëherë gjykatësit dukeshin të prirur për të marrë një vendim në favor të zotit Trump.
Emrit i zoti Trump ishte hequr nga fletëvotimet në Kolorado, Mein dhe Illinoi, por këto vendime ishin pezulluar në pritje të vendimit të Gjykatës së Lartë.
Kjo çështje përbën angazhimin më të drejtpërdrejtë të gjykatës në zgjedhjet presidenciale që nga çështja mes kandidatëve për president Bush dhe Gore, për të cilën u mor një vendim para 25 viteve, duke i dhënë fitoren e zgjedhjeve të vitit 2000 kandidatit republikan George W. Bush.
Dhe kjo është vetëm njëra nga çështjet ndaj zotit Trump, apo që mund të ndikojë në gjasat që ai të bëhet sërish president. Në fund të prillit, palët do të paraqesin argumentet në një çështje tjetër që do të shqyrtojë nëse zoti Trump duhet të ndiqet penalisht nën akuzat se ka ndërhyrë në zgjedhje, përfshirë për rolin e tij në sulmin e 6 janarit në Kapitol.
Kuadri kohor i vendimit të Gjykatës së Lartë ka ngritur dilema nëse zoti Trump do të gjykohet para zgjedhjeve të nëntorit.
Seanca për dëgjimin e argumentave të palëve në muajin shkurt ishte hera e parë që Gjykata e Lartë pranoi të shqyrtojë një çështje të bazuar tek pika 3 e amendamentit të 14-të të Kushtetutës amerikane. Ky nen i përbërë nga vetëm dy fjali, synonte përjashtimin nga funksionet publike të disa anëtarëve të Konfederatës. Aty thuhet se personave që shkelin betimin për të mbështetur Kushtetutën u ndalohen pozicione të ndryshme, përfshirë në legjislativ, apo si elektorë për zgjedhjen e presidentit. Por, aty nuk përmendet konkretisht vetë posti i presidentit.
Anëtarët konservatorë dhe liberalë të Gjykatës së Lartë shtruan pyetjet e tyre për çështjen kundër zotit Trump. Shqetësimi i tyre kryesor kishte të bënte me pikëpyetjen nëse do të duhej të vepronte fillimisht Kongresi përpara se vihet në përdorim amendamenti i 14-të. Pati gjithashtu pikëpyetje nëse kjo dispozitë vlente për postin e presidentit.
Përfaqësuesit e votuesve që kishin ngritur padinë për të përjashtuar zotin Trump nga kandidimi në Kolorado, patën argumentuar se ekzistonin prova të mjaftueshme se ngjarjet e 6 janarit ishin një rebelim dhe se ato u nxitën nga zoti Trump, i cili i pati bërë thirrje një turme mbështetësish të tij të mbledhur përpara Shtëpisë së Bardhë “të luftonin me të gjitha forcat”. Ata thanë se do të ishte absurde që pika 3 të aplikohej për çdo post tjetër përveç presidencës, apo se zoti Trump mund të ishte i përjashtuar nga ky nen. Ata gjithashtu argumentuan se për zbatimin e këtij neni nuk kishte nevojë për ndonjë legjislacion mbështetës.
Avokatët e zotit Trump paraqitën disa argumenta se përse ky amendament nuk mund të përdorej për ta hequr emrin e zotit Trump nga fletëvotimet. Ata thanë se 6 janari nuk ishte një rebelim dhe se edhe nëse ishte, zoti Trump nuk shkoi në Kapitol dhe as nuk iu bashkua pjesëmarrësve në trazira. Ata thanë gjithashtu se frazologjia e përdorur në amendament përjashton presidencën dhe kandidatët për president. Ata thanë se edhe nëse nuk do të qëndronte ndonjë prej këtyre argumentave, Kongresit i duhet sidoqoftë të miratojë legjislacion të ri për të riaktivizuar seksionin 3 të amendamentit të 14-të të Kushtetutës.
Ndër anëtarët e Gjykatës së Lartë janë tre gjykatës që janë emëruar nga vetë zoti Trump gjatë kohës që ishte president. Ata kanë marrë në shqyrtim ndër vite disa çështje të lidhura me zotin Trump, duke refuzuar të mbështesin pretendimet e tij të pavërtetuara për manipulim në zgjedhjet e vitit 2020, apo duke refuzuar kërkesën e tij që të dhënat e tij të taksave mos t’u jepeshin Kongresit dhe prokurorëve në Nju Jork.
Hera e fundit që Gjykata e Lartë pati një rol kaq konkret në politikë për zgjedhjen e presidentit ishte para 23 vitesh, kur u mor vendimi 5 me 4 për çështjen Bush kundër Gore. Nga anëtarët e tanishëm të gjykatës, vetëm gjykatësi Clarence Thomas ishte në atë kohë në detyrë. Ai ka refuzuar thirrjet nga disa ligjvënës demokratë për t’u tërhequr nga çështja e zotit Trump, për shkak se bashkëshortja e tij, Ginni, mbështeti përpjekjet e zotit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe mori pjesë në tubimin që i parapriu sulmit ndaj Kapitolit.