Gjykata e Posaçme ka vendosur të kalojë për gjykim dosjen e dytë në ngarkim të ish-kryetarit të Bashkisë Himarë, Jorgo Goro, i akuzuar për shpërdorim detyre në më shumë se një rast, kryer në bashkëpunim. Togat e zeza pranuan kërkesën e prokurorit të SPAK, Elvin Gokaj, për miratimin e akuzës dhe kalimin e çështjes në gjykim, si edhe kërkesën e mbrojtjes për gjykim të shkurtuar.
Goro u kallëzua nga Fredi Beleri, me pretendimin se në vitin 2016 i ka dhuruar 4263 m² tokë pasuesit të tij të komanduar në krye të bashkisë, Arqile Bollanos. Sipërfaqet e tokës të përfshira në këtë çështje, të njohura si “Vllatorja” dhe “Moskato”, vlerësohen rreth 1 milion euro.
Të pandehur në këtë dosje janë marrë edhe Vasillaq Strakosha dhe Jerasimo Bashi, ish-drejtorë të Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Bashkisë Himarë. Për Jerasimo Bashin, çështja është ndarë, pasi deri më tani nuk është ekzekutuar masa e sigurisë ndaj tij.
Kujtojmë se një muaj më parë, Gjykata e Posaçme dënoi Jorgo Goron me 3 vite e 1 muaj burg dhe me heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite, për shpërdorim detyre në dy raste dhe mosdeklarim të pasurisë. Gjykata vendosi gjithashtu konfiskimin e mbi 10 mijë m² tokë që i ishin kaluar Artan Gaçit, ku parashikohej ndërtimi me statusin e investitorit strategjik.