Gjykata e Tiranës ka dënuar me 15 vite burg efektivin Nevaldo Hajdaraj, i cili përmes gjykimit të shkurtuar do të vuajë vetëm 10 vite burg, pasi vrau gjatë ushtrimit të detyrës të riun Klodian Rasha.
Babai i Klodian Rashës, të riut që u vra pranë shtëpisë së tij, teksa ishte duke lëvizur në trotuar, u shpreh se kjo e sotmja nuk ishte drejtësi, dhe dënimi për efektivin do të duhej të ishte një shembull që raste të tilla të mos përsëriteshin më kurrë në vendin tonë.
“Do vijë momenti që do ti themi disa gjëra. Sot është momenti. Dua tju falënderoj ju nga zemra për punën fisnike që keni kryer që nga dita e parë deri tek dita e sotme. Falë jush shumë gjëra morën rrugë, pavarësisht inskenimeve që u munduan me të gjitha format.
Falënderoj çdo person që ka trokitur në derën time nga dita e parë deri sot në ditën e 216, falënderoj çdo qytetar që mbushën sheshet. Ardhja ime që nga dita e parë ka qenë jo krejt pa domethënie. Ishte një makabritet që e kreu një sekt që çdo lloj epiteti mund të vendosësh vetëm epitetin njeri jo.
Ai për të cilin paguan taksa, një lloj huligani, padrejtësisht vret një djalë i ri në rrugicën e shtëpisë së vetë. Pavarësisht alibisë, ngjarjes, tragjedisë, arriti deri aty sa viktima të marrë pozicionin e kriminelit dhe krimineli me petkun e viktimës. Është një ngjarje që ka tronditur jo vetëm themelet e familjes sime, por të m barë shoqërisë, por edhe shtetit. Kjo njollë e zezë nuk do i hiqet. Mesazhi im një, fëmija im ik, u varros, por fëmija juaj, gjaku është njëlloj si i të gjithëve.
Mendoja që me këtë rast të shërbejë një shembull për këta që janë gjallë, të shërbejë si simbolikë që edhe ju kini kujdes ruajini fëmijët tuaj. Si mund ta quash drejtësi, kur çdo gjë është e qartë dhe me një të rënë të lapsit i jep gjykimin e shkurtuar. Mendoj dhe besoj tek drejtësia e re që po ngrihet. Unë e kam kërkuar drejtësinë që ditën e parë, por me këtë lloj drejtësie nuk besoj se mund ta gjejë askush”, tha Qazim Rasha për gazetarët.
Ndërkohë që efektivi Hajdaraj u shpreh i penduar dhe kërkoi falje për vrasjen në sallën e gjyqit.
(E.K/Faxweb.al)