Ish-deputeti i PD-së Klevis Balliu, i arrestuar ditën e djeshme gjatë protestës në zonën e Astirit, ku ai u vendos në krah të banorëve që u përplasën me policinë, për të mos lejuar kalimin e eskortës së kryeminstrit Rama do të dalë ditën e nesërme para Gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë.
Ish-deputeti ka akuzuar policinë për dhunë fizike ndaj tij.
Balliu ka kërkuar kryerjen e një akt ekspertimi për dhunë, i cili është kryer, dhe mjekët ligjor kanë tashmë një raport të cilët do ja dorëzojnë Prokurorisë.
Ndërkohë në një konferencë për mediat sekretari i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi tha që arrestimi i Balliut është politik, i paligjshëm dhe i paprovuar. Bardhi u shpreh se Rama po përdor policinë ndaj qytetarëve.
“Arrestimi i Klevis Balliut është politik, i paligjshëm dhe i paprovuar. Rama po përdor policinë ndaj qytetarëve. Qelitë po mbushen me të burgosur politikë. Policia ushtron dhunë ç’njerëzore, kur ka për detyrë të ruajë qytetarët. Këta policë, që ulin kokën përballë krimit të organizuar, ushtrojnë dhunë ndaj të pafajshmëve, ndaj grave dhe fëmijëve.” u shpreh Gazmend Bardhi
Klevis Balliu akuzohet për veprat penale “kundërshtim me dhunë ndaj punonjësve të policisë”, “prishje e qetësisë publike” dhe “pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”.