Gjykata Kushtetuese shpërfill prodhuesit vendas të birrës, duke rrëzuar padinë për shfuqizimin e unfikimit të akcizës. “Shoqata e Prodhuesve dhe Tregtuesve të Pijeve Alkoolike Vendase” pati kërkuar në Gjykatën Kushtetuese shfuqizimin e pjesshëm të ligjit “Për akcizat”, me qëllim që prodhimi vendas të mbrohet.
Në janar të 2023 qeveria shqiptare vendosi në mënyre të beftë që vlera akciza e birrës vendase deri në 200 mijë hekto litra, të unifikohej me vlerën e akcizës së birrave të importit.
Nga 1 janari 2023, kompanitë shqiptare po paguajnë dyfish të akcizës, pasi qeveria vendosi të unfikojë nivelin e akcizës si për prodhuesit vendas pavarësisht sasisë, ashtu dhe për birrat e importit. Para ndryshimit, prodhuesit vendas deri ne 200 mijë hektolitra në vit, paguanin gjysmën e nivelit të akcizës në raport me birrat e importit.
Masa kishte për qëllimin mbështetjen e prodhimit vendas dhe lehtësimin e kostove me qëllim ruatjen e konkurrencës nga kompanitë gjigande ndërkombëtare.
Megjithatë Gjykata Kushtetuese, në një votim jo-unanim, por të ndarë në 6 vota me 3, vendosi të injorojë kërkesat e drejta të biznesit vendas.
Gjykata çmoi se nuk u provua që ndryshimet ligjore kanë cenuar thelbin e lirisë së veprimtarisë ekonomike apo e kanë vënë në rrezik atë, deri në atë masë që të vihet në dyshim ekzistenca e saj.
Në këtë mënyrë, Gjykata Kushtetuese i dha një goditje të rëndë prodhuesve vendas, duke vënë në rrezik sektorin, pasi mijëra punonjës kanë humbur ose rrezikojnë të humbasin vendet e punës.
Kushteuesja nuk mori parasysh faktin se ndryshimi i akcizës shtoi me 22% kostot e prodhuesve, që prej kohësh vuanin shtrenjtimin e lëndës së parë, materialeve ambalazhuese dhe rritjen e pagave të punonjësve. Për shkak të mospërballimit të kostove, vjet prej muajit janar deri në mars, disa fabrika mbyllën përkohësisht prodhimin. Sipas të dhënave të Doganave, sasia e birrës së prodhuar në muajt janar-mars 2023 u ul me 22% krahasuar me 2022.