Gjykata Tiranës ka konfirmuar masën e sigurisë ‘arrest shtëpie” për dy ish-deputetët Arben Çuko dhe Arben Ndoka, ndërsa ky i fundit është shprehur se nuk ka dijeni për përgjimet e kryera ndaj tij.
Ndoka është shprehur se arrestimi i tij është lojë e Prokurorisë dhe se kërkon që përgjimet e tij të bëhen publike.
“Arrestimi im është lojë e Prokurorisë. Dua që përgjimet e mia të bëhen publike pasi unë nuk e di që jam përgjuar. Nuk jam i përfshirë në një grup që tjetërson pronat.” tha Ndoka në seancë.
Ndërkohë në një deklaratë për mediat Ndoka tha që akuzat e ngritura nga Prokuroria nuk qëndrojnë fare. Ai u shpreh se nuk disponon asnjë metër toke dhe se nuk bën pjesë grup që kryen tjetërsim pronash dhe falsifikim dokumentesh.
“Unë kundërshtoj çdo akuzë ndaj meje. Akuzat e ngritura nga Prokuroria nuk qëndrojnë fare. Sado që do të hetojë mbi akuzat, prokuroria nuk do të gjejë asnjë provë. Po të isha i lirë mund të angazhohesha në zgjedhje. Kam qenë deputet i PS. Mendoj se formulimi i pyetjes nuk është i saktë. Unë nuk disponoj asnjë metër tokë dhe prokuroria nuk më ka sekuestruar asnjë metër tokë. Nuk jam i përzier në asnjë pjesë e falsifikime të firmave. Të gjithë këta persona nuk kanë lidhje me mua, as nuk janë miq të mi dhe nuk kam asnjë lloj pakti për përfitim prone. Nuk jam angazhuar me asnjë grup që ka të bëjë me tjetërsim. Jam i akuzuar për falsifikim dokumentesh. Unë nuk di që jam i përgjuar, sepse ka kohë që kërkoj përgjimet e telefonit tim dhe nuk kam lidhje me asnjë person”, u shpreh Ndoka për mediat.
Akuzat
Ish-deputeti socialist Arben Ndoka akuzohet për falsifikim të dokumenteve, vulave, stampave ose formularëve, shpërdorimi i tokës në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash në zonën bregdetare në Qarkun e Lezhës. Sipas burimeve nga grupi hetimor, Ndoka së bashku me disa zyrtarë të tjerë në Lezhë kanë ndikuar në tjetërsimin e pronave te “Rana e Hedhun” dhe në Kune nga ranishte në tokë arë dhe më pas i kalonin te të afërmit e tyre.
Çuko dyshohet se është i përfshirë në korrupsion pasiv gjatë kohës që ushtronte detyrën e drejtorit të Burgjeve. Urdhërarresti u ekzekutua sot pasdite dhe aktualisht Çuko është i ndaluar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës”, njoftoi dje zyrtarisht Policia.
Burime nga Prokuroria thanë se arrestimi i Çukos është kërkuar pas një hetimi disamujor, pasi dyshohet se kundrejt lejeve që jepte për të burgosurit merrte para në formë ryshfeti.
Çuko është zbuluar nga përgjimet e një grupi të përfshirë në trafik droge. Në një rast kur po përgjohej një nga anëtarët e grupit kriminal të trafikut të drogës ka dalë emri i Çukos, ku diskutohej se ai jepte leje për të burgosurit kundrejt pagesave.
Një nga rastet e dokumentuara nga ana e Prokurorisë, me incidien edhe të Ministrisë së Drejtësisë, dyshohet se Arben Çuko ka përfituar para dhe një automjet për transferimin e një të dënuari.
Discussion about this post