Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili foli në lidhje Skype për Fax News këtë pasdite. Për gazetaren Rovena Neziri ai komentoi masën e arrestit të miratuar nga GJKKO ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Vasili e cilëson GJKKO-në si Gjykata pro krimit të organizuar dhe pro korrupsionit, e cila mori këtë vendim ndaj Berishës. Kreu i Rithemelimit po dënohet sipas Vasilit sepse certifikoi vendimin e Ramës në kohën kur ky ishte kryetar bashkie për ndryshimin e destinacionit të klubit Partizani.
“Gjykata pro krimit të organizuar dhe pro korrupsionit mori këtë vendim ndaj Berishës. Unë kam rreshtuar në shënimin tim jo hamendje por fakte si përgjegjësi të Edi Ramës dhe Erion Veliaj të depozituar në SPAK të cilët vërtetojnë në mënyrë të pakontestueshme. Nuk shohim Ramën para drejtësisë por Berishën që paska certifikuar vendimin e Edi Ramës për ndryshimin e destinacionin e klubit Partizani. Kjo masë merret nga një gjyqtare e shkarkuar nga Berisha kur ka qenë president”, tha Vasili.
Nga ana tjetër, Vasili thotë se sot ka vetëm një mesazh për çdo shqiptar, që qeveris anti-ligji. Askush nuk ka më siguri dhe nuk ndihet i sigurtë se zbaton ligjin, pasi për Berishën nuk ekziston asnjë akuzë.
“Çdo shqiptar ka vetëm një mesazh në Shqipëri qeveris anti-ligji. Asnjë qytetar të mos e mendojë veten se është i qetë se zbaton ligjin. Mund të jenë të qetë ata që e shkelin ligjin, që vjedhin prona. Ju e shikoni Ilir Beqaj është i qetë, shëtit. Për Berishën nuk ekziston sot e kësaj dite një akuzë. Si do i bindin shqiptarët që njeriu me akuzë paska të drejtë dhe liri, ndërsa njeriu pa asnjë akuzë nuk paska asnjë të drejtë asnjë liri. Çdo qytetarë mund të thotë që drejtësia është varrosur. Shëmbëllyrë e neveritshme”, u shpreh deputeti.