Ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj, ka shkarkuar dje ambasadoren e Shqipërisë në Athinë, Ardiana Hobdari, dhe pjesën më të madhe të stafit të ambasadës sonë.
Vendimi ka ardhur vetëm pak ditë pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës pushoi çështjen e ngritur ndaj ambasadores Hobdari dhe Konsullit të përgjithshëm në Janinë, Gjikuria, për akuzën penale të “Shpërdorimit të detyrës” për rastin e vjedhjes së 100 pasaportave biometrike të shtetasve shqiptarë që jetojnë në Greqi.
Kujtojmë se në shkurt të 2019, një numër i konsiderueshëm i pasaportave të prodhuara në Tiranë për shtetasit shqiptarë në Greqi u vodhën nga makina e konsullit të përgjithshëm në Janinë, Pervin
Gjikuria, pasi më parë ishin bllokuar nga dogana greke në autobusin e linjës Tiranë-Athinë. Për këtë skandal, Ministria e Jashtme ngriti një grup pune me qëllim hetimin administrativ të saj. Në përfundim u përgatiten dy raporte në lidhje me çështjen e bllokimit të pasaportave dhe asaj të vjedhjes së tyre.
Ministria ngriti akuzë penale për veprën e shpërdorimit të detyrës për ambasadoren Hobdari dhe konsullin Gjikuria, duke sjellë për vlerësim dhe dokumentet e hetimit administrativ.
Më 2 qershor, Gjykata e Tiranës vendosi pushimin e çështjes dhe rrëzimin e akuzave për shpërdorim detyre ndaj ambasadores dhe Konsullit të Përgjithshëm.
Bëhet me dije se në vendimin që ka marrë gjykata disa ditë më parë, arsyetohet se: “Në përfundim, ajo çka është më e rëndësishme është mungesa e lidhjes shkak-pasojë mes detyrimeve të ambasadores Hobdari, bllokimit të pasaportave nga autoritetet doganore greke, si dhe vjedhjes së tyre. Në lidhje me bllokimin e pasaportave nga ana e autoriteteve doganore greke është bërë shkak mosrespektimit i Konventës së Vjenës, fakt ky që është audituar nga Ministria më parë dhe është konsideruar i rregullt”, është kjo një pjesë e vendimit të gjykatës.
Më tej arsyetohet se vjedhja e pasaportave nuk janë kryer për shkak të shkejeve të bëra nga ambasaodorja dhe ajo nuk ka asnjë përgjegjësi.
“Në lidhje me vjedhjen e pasaportave, bëjmë me dije se vjedhja është kryer në momentin që transporti po kryhej në përputhje me Konventën e Vjenës, pasi ishte marrë përsipër nga konsulli me një automjet me targa diplomatike. Pra, si bllokimi, po ashtu edhe vjedhja, nuk janë kryer për shkak të shkeljes së ndonjë dispozite nga ana e ambasadores Adriana Hobdari”, vijon më tej vendimi.
Në lidhje me procedurën e transportimit të pasaportave me transport publik, Gjykata bën përgjegjëse Ministrinë e Jashtme për mungesë të kuadrit ligjor që duhet rregulluar. Pak ditë pas zbardhjes së këtij vendimi, ka ardhur dhe shkarkimi i ambasadores Ardiana Hobdari.