Alket Hatija, i ashtuquajturi “Baroni i drogës”, duhet të kthehet sërish në burg.
Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës e liroi Hatijën dhe vendosi detyrim paraqitjeje për 45-vjeçarin. Mirëpo Gjykata e Apelit në Durrës ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë, duke ndryshuar masën e sigurisë për 45- vjeçarin e shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Organi i akuzës iu drejtua Gjykatës së Apelit Durrës duke kërkuar riarrestimin e të akuzuarit në pritje të ekstradimit të tij në Itali, për të vuajtur dënimin me 20 vite burg, të marrë për trafikim droge dhe pjesëmarrje në bandë kriminale.
Në ankimimin e saj, Prokuroria e Durrësit argumenton se vendimi i Shkallës së Parë, që vendosi lirimin e menjëhershëm të 45-vjeçarit, është i padrejtë dhe në kundërshtim me aktet ligjore që rregullojnë këtë aspekt ndërmjet shteteve në procesin penal.
Gjykata e Apelit i kërkon policisë tani arrestimin e tij por policia nuk e gjen dot pasi adresa e tij nuk dihet, prandaj e ka shpallur atë në kërkim dhe po punon për kapjen e tij. Hatija pritet të ekstradohet drejt Italisë për të kryer dënimin nga Gjykata e Milanos.
Alket Hatija është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare dhe italiane. Ai u arrestua në vitin 2008, bashkë me katër persona të tjerrë, pasi dyshohej si kreu i një grupi të strukturuar kriminal që trafikonte heroinë nga Turqia në Itali, duke përdorur Shqipërinë si vend transiti.
Në 2010, Hatija është dënuar nga gjykata e Krimeve të Rënda me 10 vite e tetë muaj burgim, vendim që është lënë në fuqi në të gjitha shkallët e gjyqësorit.
45-vjeçari Hatija me banim në Durrës u arrestua me qëllim ekstradimi drejt Italisë, ku është dënuar me 20 vjet burgim.
(B.H/Shuplaka)