Kryetari i grupit të PS, Taulant Balla është përballur sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda me djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha, pasi ky i fundit e akuzoi për shpifje.
Ndërkohë që gjykata ka vendosur rrëzimin e kallëzimit penal të Berishës për shpifje, ky i fundit dha një prononcim para mediave ku hodhi akuza të forta ndaj gjykatës dhe kreut të grupit parlamentar të PS-së.
“Taulant Balla vazhdoi të shpifte. Nuk është aspak e vërtetë se gjykata arriti në konkluzionin se Shkëlzen Berisha ka detyrime ndaj tatimeve.
Gjykata çmoi se nuk ka tagrin për të vërtetuar nëse pretendimet e zotit Balla ishin ose jo të vërteta. Kjo është qesharake sepse institucioni që ka tagrin ta bëjë këtë është zyra e tatim-taksave. Përderisa Shkëlzen Berisha nuk ka asnjë detyrim në zyrën e tatim-taksave, gjë që është fakt publik, gjykatësja ka dashur të lajë duart për shkak të presionit politik të organizatës kriminale në pushtet.
Fatkeqësia nuk është pse Taulant Balla nuk u dënua për herë të dytë shpifje, sepse ju e keni parë që denoncimet publikë që janë bërë për gjëra shumë herë më të rënda se kaq, udhëtimet e Taulant Ballës me trafikantë droge në destinacione të ndryshme të Europës.
Keni parë se si këta trafikantë droge me t’u kthyer në Shqipëri nga muaji i mjaltit me Taulant Ballën kanë përfituar në mënyrë të paligjshme mbi 6 mln euro nga OSHEE, ndërkohë që nuk kishin të drejtë as të merrnin pjesë në tendera sepse kanë qenë të dënuar për trafik droge. Prokuroria as nuk bëzan për këtë dosje.
Prokuroria nuk ka reaguar se është e kapur për fyti. Me presh në gojë nga trafikantë droge, nga kriminelë, policë, drejtorë, deputetë ministra e deri tek Edi Rama kanë komunikuar dhe kanë organizuar si një organizatë kriminale vjedhjene e votave. Organizata kriminale e Rilindjes i ka vënë këmbën në fyt drejtësisë.
Unë sigurisht do i shkoj deri në fund. Kjo betejë do të vazhdojë në gjykatë të Apelit dhe më tutje. Kur njerëzit duhet të akuzohen për trafik droge, për bashkëpunim me një organizatë kriminale, akuza për shpifje kuptohet se janë gjëja më e thjeshtë” ”, tha Shkëlzen Berisha