Tiranë– Ka nisur seanca e radhës për gjyqin mbi dosjen e sterilizimit në Gjykatën e Posaçme, ku i pranishëm ka qenë si i pandehur edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, që në këtë proces ndiqet në gjendje të lirë, por është i arrestuar për fondet e ‘SASPAC”.
Gjatë seancës, ku SPAK ka 9 persona të pandehur në dosje, ka folur vetë ish-ministri, që pretendoi se është i pafajshëm, duke u bazuar tek një vendim i mëparshëm i ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Ai vuri theksin te “parimi i gjësë së gjykuar”, duke artikuluar edhe një vendim pushimi të Prokurorisë së Tiranës më parë dhe që për të “janë pafajësi”, bazuar edhe te vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë.
Në këtë proces janë të arrestuar që prej nisjes së hetimit ish-zv/ministri Klodjan Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, ndërsa ka edhe 6 zyrtarë të tjerë të pandehur.