Në seancën e sotme gjyqësore ndaj ish-deputetit Mark Frroku, ka ndodhur diçka e papritur.
Për të vërtetuar se Frroku ka një pasuri të pajustifikuar prej 2 milionë dollarësh, Prokuroria e Përgjithshme caktoi eksperten Greta Danku për ta kryer këtë detyrë.
Danku e hartoi raportin e kërkuar, por gjatë seancës së sotme deklaroi se nuk zotëronte licencë për ushtrimin e profesionit.
Kjo deklaratë u bë shkak për një debat të fortë midis palëve kundërshtare në seancën gjyqësore, në përfundim të së cilës u hodh poshtë raporti i ekspertes në fjalë.
Danku tha para gjykatës se zotëron një diplomë në Financë-Kontabilitet dhe se veprimtarinë e saj e ka të bazuar në kuadrin ligjor në fuqi.
Ajo tregon se në kohën që u punësua në Prokurorinë e Përgjithshme, pajisja me licencën e Ekspertit Kontabël nuk ishte kriter.
Në raportin e Damkut, thuhet që Frroku zotëron një pasuri prej 2 milionë dollarësh, të cilët s’e justifikon dot me të ardhura dhe burime të ligjshme.
Por avokatët e gjykuan të njëanshme ekspertizën e saj, dhe kërkuan caktimin e një eksperti të pavarur.
Sipas ish-deputetit, Danku ka vepruar pa patur tagër ligjor, për këtë kërkoi që të mos merrej si bazë dhe si provë në process.
Ndaj ish-deputetit të partisë demokristiane rëndojnë akuzat për fshehje të pasurisë, pastrim parash e ndërtim të paligjshëm si dhe për vrasjen e Aleksandër Kurtit në Belgjikë, pas konflikteve të grupeve kriminale në fushën e shfrytëzimit të femrave për prostitucion. (D.D/Shuplaka)