Avokati i gjyqtares së Apelit Fatmira Hajdari, Maks Haxhia ka folur për fshehjen e refuzimit të vizës amerikane duke thënë se nuk dihet data e saktë se kur është revokuar.
“Ne nuk e dimë datën e saktë se kur është revokuar viza. Ne i kërkojmë Ambasadës së SHBA datën ekzakte”, tha Haxhia. Në lidhje me pasurinë është përgatitur një material prej 43 faqesh nga dy avokatët e gjyqtares Fatmira Hajdari.
Ndërkohë po mbahet në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit seanca ndaj gjyqtares së Apelit Fatmira Hajdari, ku janë konstatuar disa shkelje sa i takon deklarimit të pasurisë dhe pastërtisë së figurës.
Në hetimin e KPK rezultoi se: Subjekti i rivlerësimit ka mohuar që i është penguar lëvizja në SHBA, ndërsa e vërteta është se Ambasada e SHBA ka refuzuar Hajdarin për vizë. DSIK ka dërguar një raport të dytë për figurën ku thuhet se pas verifikimeve rezulton se Hajdari ka bërë deklarim të pasaktë për kontrollin e figurës.
Vetë Hajdari nga ana e saj i ka qëndruar versionit se nuk ka qenë në dijeni për refuzimin e vizës, dhe se nuk ka aplikuar kohët e fundit. (A.M/Faxweb.al)