Disa transaksione financiare që përfshinin gjyqtaren Vjollca Spahiu, bashkëshortin e saj dhe persona të tretë u vunë në dyshim nga trupa e KPK dhe vëzhguesi ndërkombëtar, i cili pyeti Spahiun për mbi 30 minuta. Gjyqtarja këmbënguli se pasuria e saj ishte e ligjshme dhe kërkoi konfirmim në detyrë.
Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Vjollca Spahiu u përball të martën me një seancë të gjatë pyetjesh nga vëzhguesi ndërkombëtar, Stiven Kesler dhe anëtarë të trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, kryesisht mbi transaksionet për dy pasuri të paluajtshme dhe një makinë.
Spahiu siç rezultoi në seancë kishte kryer disa transaksione që KPK i gjeti nën vlerën e tregut, po ashtu burimet për pasuritë e blera u vunë në dyshim nga Komisioni për shkak se koha e marrjes së kredive nuk përputhej me kohën e pagesave sipas kontratave të nënshkruara.
KPK po ashtu vuri në dyshim një shumë prej 14 mijë dollarësh, që Spahiu e kishte deklaruar si të ardhura qiraje për një njësi në Kukës ku ishin strehuar gazetarë spanjollë gjatë luftës në Kosovë. Vëzhguesi ndërkombëtar e pyeti gjatë subjektin në lidhje me marrëdhëniet me një huadhënës, i cili i kishte dhënë çiftit Spahiu 3 milion lekë cash, pa interesa dhe pa afat kthimi.
Discussion about this post