Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, njëherësh nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se nuk beson se formimi i qeverisë së re është i mundur pa përfshirjen e partive opozitare në koalicionin qeverisës. Konjufca tha se Vetëvendosje ka pasur synim që në zgjedhjet e 9 shkurtit të fitonte 500 mijë vota, në mënyrë që të drejtojë e vetme qeverinë e ardhshme.
Por, sipas tij, rezultati zgjedhor ka treguar se një gjë e tillë nuk është e mundshme. “E kemi pasur qëllimin [t’i sigurojmë] 500 mijë vota. Nuk i kemi arritur ato. Tash është një skenar tjetër. Është skenari B”, deklaroi Konjufca. Konjufca tha se aktualisht ekzistojnë dy skenarë: i pari, votimi i një qeverie deri në zgjedhjen e presidentit të ri; dhe i dyti, votimi i një qeverie të re afatgjatë.
Mandati pesëvjeçar i presidentes Vjosa Osmani përfundon në prill të vitit të ardhshëm. I pyetur për ftesën për takim që kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ia ka dërguar kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, Konjufca tha se kjo ftesë “është rasti më normal” në një shoqëri demokratike. Një ftesë e tillë nuk u është dërguar partive të tjera opozitare. Këto komente Konjufca i bëri pas një takimi me përfaqësuesit e partive politike, një javë para mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Në takim, nga Lëvizja Vetëvendosje ishte pjesëmarrëse Albulena Haxhiu; nga Partia Demokratike e Kosovës, nënkryetari Uran Ismaili; nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nënkryetarja e kësaj partie, Doarsa Kica-Xhelili; kurse nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sekretari i partisë, Muharrem Nitaj. Të pranishëm ishin edhe disa nga përfaqësuesit e partive të pakicave.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, caktoi 15 prillin si datën për mbajtjen e seancës konstituive të përbërjes së re parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Caktimi i seancës konstituive shënon hapin e parë drejt formimit të institucioneve të reja, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 27 mars.
Çfarë parashihet më 15 prill?
Deputetët e zgjedhur paraqiten në Kuvend. Seancën konstituive e udhëheq deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë. Deputetët e zgjedhur bëjnë betimin. Partia e parë propozon kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe gjatë seancës zgjidhen edhe nënkryetarët. Seanca përfundon me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, sipas Rregullores së Kuvendit.
Sipas rezultateve, në përbërjen e re parlamentare Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 48 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 24, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, Lista Serbe nëntë dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me Nismën Socialdemokrate tetë vende.
Lëvizja Vetëvendosje, që doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, deklaroi ditë më parë se synon që qeverinë e re, të udhëhequr nga Albin Kurti, ta votojë gjatë seancës konstituive. Megjithatë, deri më tani, kryeministri në detyrë i Kosovës dhe njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka njoftuar zyrtarisht se ka takuar partitë politike të pakicave.
Këto takime Kurti i zhvilloi në përpjekje për të siguruar votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re. Pas takimeve me përfaqësuesit e pakicave, ai akuzoi Serbinë se po tenton të “sabotojë themelimin e institucioneve të reja”. Sa u përket partive më të mëdha, deri më tani Kurti ka dërguar ftesë zyrtare për takim vetëm kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku./REL