Për shkak se godina në qendër do t’i nënshtrohet rikonstruksionit, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit do të zhvendoset në Kinostudio. Burime për “GSH” kanë bërë me dije se teatri bashkë me artistët do të shkojnë përkohësisht në godinën e “Albafilm”.
Gjatë këtij muaji pritet që ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, së bashku me drejtoreshën e TKOB, Zana Çela, të japin sqarime për zhvendosjen në një konferencë për mediat.
Mësohet se punimet për të përshtatur “Albafilm” në një godinë për operën kanë nisur prej kohësh, ku konkretisht po bëhen gati dy salla moderne. Ndërkohë që sipas “GSH”-së, edhe kjo godinë ka nevojë për punime të shumta. Por kjo “qytezë” që pati prodhuar për disa dekada filmat shqiptarë, e ka humbur shkëlqimin e magjinë, vit pas viti prej 1991-it. (XH.A/SHUPLAKA)