Një operacion madhor antikrim është kryer të mërkurën në Itali, për arrestimin e 97 eksponentëve të mafies kalabreze.
Aksioni, i organizuar me nismë të Drejtorisë Rajonale të Antimafies, ka goditur familje mafioze prestigjioze të organizatës Ndrangheta, të akuzuara për krime të stilit mafioz, trafik ndërkombëtar droge, zhvatje, kërcënime, rrëmbim personi, armëmbajtje pa leje dhe shkëmbim të favoreve me klasën politike në Rexho Kalabria.
Sipas hetuesve, konsorciumi kriminal kishte monopolizuar një linjë trafiku narkotikësh pasi kishte krijuar një strukturë hierarkike të konsoliduar falë një aleance mes klaneve.
Operacioni, i koduar me emrin “Milenium”, përveç se në qytetin kalabrez u zbatua edhe në Milano, Monca, Brianca, Pavia, Nuoro, Bolonja, Kozenca, Katanxaro, Vibo Valentia, Romë, Rimini, Verona, Agrixhento dhe Torino.
Në të u përfshinë struktura të ndryshme ligjzbatuese, të cilat udhëhiqeshin nga Reparti i Operacioneve Speciale të karabinierëve, në bashkëpunim me Interpolin.
Gjatë operacionit u krye edhe sekuestrimi i disa kompanive restaurimi dhe ndërtimi, të konsideruara në pronësi të disa personave të hetuar dhe të përdorura për të favorizuar aktivitetet e paligjshme të organizatës.