Një 41-vjeçari i shapllur në kërkim pasi akuzohet për tentativë vrasje është arrestuar në Tiranë. Në pranga është vënë Mandi Qori, i cili më 19 shtator pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur disa herë me thikë, shtetasin Eri Driza.
Gjykata e Tiranës kishte caktuar, ndaj 41-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
NJOFTIMI I POLICISË:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Wanted 3”, nga Komisariati i Policisë Nr. 6 dhe Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda Ndaj Personit.
Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim për vrasje të mbetur në tentativë dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 dhe ato të Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda Ndaj Personit, bazuar në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.
Gjatë kontrolleve, në rrugën “Tre Dëshmorët”, u kap shtetasi M. Q., 41 vjeç, banues në Tiranë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Ky shtetas, më datë 19.09.2024, në zonën e Yzberishtit, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur disa herë me mjet prerës (thikë) shtetasin E. D.
Materialet i kaluan Prokurorisë.