Më pak se një vit pas lajmërimi të super projektit, Super League është akoma gjallë, edhe pse vështirësitë vazhdojnë të jenë të mëdha.
Në fakt, propozimi i rishikuar dhe i korrigjuar i paraqitur nga presidenti i Juventus-it, Andrea Agnelli, pak kohë më parë nuk ka zbutur aspak qëndrimin e institucioneve më të mëdha europiane dhe botërore dhe as ka bërë të ndryshojnë mendim nëntë klubet që janë larguar pothuajse menjëherë nga projekti.
Reverter i thotë jo Florentino Perez
Goditja e fundit ndaj krijesës së Florentino Perez ka ardhur nga refuzimi i Ferran Reverter për të mbuluar rolin e drejtorit të përgjithshëm të Super League.
Lajmi është dhënë nga radio RAC1, që ka bërë të ditur se ish-drejtuesi i Barcelona-s ka refuzuar propozimin e Perez për të marrë një rol të rëndësishëm në kompeticionin që duhet të rivalizojë Champions-in nga viti 2024.
Kush është Ferran Reverter, njeriu kyç për ringjalljen e Barcelona-s
Vetëm 8 shkurtin e kaluar, Reverter ka dhënë në mënyrë të papritur dorëheqjen nga roli i drejtorit ekzekutiv te Barcelona, një detyrë të cilën e mori vetëm shtatë muaj më parë, më 1 korrik 2021, në agimin e epokës së re të Laporta-s.
Reverter ka qenë një njeri kyç për rindërtimin e ngadaltë të Barcelona-s, duke drejtuar projektin e transformimit të klubit dhe planin strategjik për pesëvjeçarin 2021-2026, që ka si objektivë ristrukturimin e borxhit, reduktimin e rrogave dhe marrëveshjen me sponsorët e rinj.
Prapaskena e prishjes mes Reverter dhe Laporta
Lamtumira e Reverter, e justifikuar me dëshirën e drejtuesit për t’i dedikuar më shumë kohë familjes, ka ardhur pak orë para zyrtarizimit të super marrëveshjes mes Barcelona-s dhe Spotify, duke lënë të kuptohej për mosmarrëveshje të mundshme me Laporta-n në lidhje me këtë operacion.
Fakti është se as propozimi revolucionar i Perez-it nuk e ka bindur Reverter të ndërpresë periudhën e pushimit që sapo ka filluar…
Discussion about this post