Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja deklaroi sot se, në total janë 22 institucione dhe mbi 10 mijë punonjës shtetërorë që do të gjejnë strehim në mega kompleksin qeveritar në kryeqytet.
Në prezantimin e programit “Urat e reja për Shqipërinë 2030”, një program i ri zhvillimi i pronave publike, për të ndërtuar përmes partneriteteve me sipërmarrjen private vepra të reja të infrastrukturës publike, administrative, turistike, kulturore e sociale, Gonxhja u shpreh se, “ka kaluar shumë kohë nga koha kur 70 vjet më parë të burgosurit politikë punuan si skllevër për të ngritur një stadium me standarde sovjetike “ish-Dinamo” sot “Selman Stermasi”.
“Prej atëherë deliri i madhështisë, ai pseudo projekt për këtë stadium apo kompleksin ‘Dinamo’ të ndërtuar në vitin 1987 nuk ka pasur limit. Kompleksi, edhe ai i ndërtuar me të burgosur politik, u ngrit sipas zyrtarëve të kohës në përputhje me standardet e qendrës stërvitore të “Paris Saint Germain”, tha Gonxhja.
Ministri u shpreh se, “nga viti 200 e deri më sot ka pasur shumë ide për rinovimin të “Selman Stermasit”. Njëra e Ministrisë së Ekonomisë në vitin 2008 ishte për një stadium si ‘Karaiskakis” në Athinë, por me 15 banjo publike dhe një parkim. Të tjerë pastaj përfytyruan dhe fantazuan për “Allianz Arena” apo makete stadiumesh si në Bullgari, Zvicër, Rusi etj.
Gonxhja u shpreh se, me projektin e ri, “Selman Stermasi përpos të qenit një stadium, do të jetë një pol i jashtëzakonshme zhvillimi i vendosur në zemër të Tiranës.
“Përsëritja e suksesit të “Air Albania”-s apo “Qemal Stafës” do të sjellë një përfitim të jashtëzakonshëm edhe për të gjithë zonën përreth që do të fitojë më tej në vlerën e pronës apo në gjenerim i aktivitetit të shtuar ekonomik si dhe punësimit”, tha Gonxhja.
Ministri u shpreh se, projekti për “Selman Stermasi” është vetëm një nga epiqendrat e zhvillimit të realizuara si një produkt i një marrëdhënieje të re me pronën publike që po nxitet dhe po kultivohet prej Korporatës Shqiptare të Investimeve.
““Void” dhe “Lift Tower” janë 2 qendrat e tjera që u njohëm edhe sot që do të transformojnë, jo vetëm hapësirën përreth, por edhe marrëdhënien e qytetarit me shtetin, falë shërbimeve publike që do të mirëpresin”, u shpreh Gonxhja.
“Në total janë 22 institucione dhe mbi 10 mijë punonjës shtetërorë që do të gjejnë strehim në mega kompleksin qeveritar në kryeqytet”, u shpreh ai.
Gonxhja nënvizoi se, “si portofol është pjesë e pandashme e vizionit të qeverisë sonë për Shqipërinë 2030 dhe i bashkëngjiten historive të tjera që ne shpresojmë do të jenë histori suksesi, si “EXPO Albania”, që do të jetë qendra më e madhe e panaireve dhe ekspozitave në Ballkan që me ndërtimin e saj si qendër multifunksionale në portën verilindore do të na vendosë në hartën globale të një prej industrive me rritjen më të shpejtë në botë, atë të panaireve dhe ekspozimeve, e cila që nga periudha përpara COVID-it është 2-3 fishuar si industri”.
“Projekti tjetër, ai i parkut “Durana” është një vizion jashtëzakonisht ambicioz që do të krijojë kushtet e Shqipërisë për t’u shndërruar në një lider të teknologjisë së komunikimit, informacionit dhe teknologjisë së lartë, natyrisht në rajon në shumë funksion nga ato fizike deri në operativitet virtual”, tha Gonxhja, duke shtuar se, “ky është një projekt i mbështetur direkt nga MEKI që në 2024-ën u propozua me sukses për kalimin e 140 mijë m2 truall në Xhafzotaj në pronësi të Korporatës së Investimeve Shqiptare”, tha Gonxhja.