Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja dhe Kate Ewart Biggs, zëvendës CEO dhe Drejtoreshë e Operacioneve Ndërkombëtare, nënshkruan sot në Kotor të Malit të Zi, marrëveshjen për Hartimin e Strategjisë Kombëtare të Ekonomisë Kreative. Gonxhja e cilësoi marrëveshjen me British Council, një lajm të mirë për Shqipërinë.
Ministri bëri të ditur se, strategjia do të hartohet nga disa prej ekspertëve më të mirë britanikë dhe ndërkombëtarë, ndër të cilët John Newbigin, ambasador i Kryebashkiakut të Londrës për ekonominë kreative.
Gjithashtu u shpreh Gonxhja, kjo strategji do të përfshijë një sërë reformash ligjore në sektorët kryesorë të ekonomisë kreative, si: kinematografia, media audiovizuale, ligji i sponsorizimit, inovacioni, punësimi i të rinjve, dizajni e artizanati, turizmi kulturor dhe incentivat fiskale e sociale.
Sipas tij, fondi i parë i kësaj pakete do të vihet menjëherë në funksion të strategjisë, ndërsa raundi i dytë i financimit do të shpallet në tetor, gjatë Konferencës së Procesit të Berlinit në Londër.
Kjo nismë mbështetet gjithashtu nga Banka Botërore, përmes një plani të dedikuar për nxitjen e punësimit të të rinjve në fushat e kulturës dhe inovacionit.
Gonxhja deklaroi se, “ky është një moment i rëndësishëm për Shqipërinë, një hap konkret drejt një modeli të ri ekonomik, që investon në kapitalin njerëzor dhe afirmon identitetin dhe energjinë kreative të vendit tonë në skenën ndërkombëtare”.