Mbi 573 mijë pensionistë kanë tërhequr “bonusin e pranverës” gjatë muajit mars. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se mbi 573 mijë pensionistë kanë tërhequr 4,9 miliardë lekë gjatë muajit mars.
“573 965 pensionistë kanë tërhequr 4,9 miliardë lekë gjatë muajit mars. 10 000 lekë bonus për pensionet bazë deri në 20 000 lekë; 5 000 lekë bonus për pensionet mbi 20 000 lekë. Bonusi mund të tërhiqet deri më 30 shtator 2025, pranë çdo pike të Postës Shqiptare dhe bankave të nivelit të dytë”, u shpreh Gonxhja.
Nga kjo politikë mbështetëse përfitojnë 730 430 pensionistë. Ndërkohë për të gjithë pensionistët që nuk kanë tërhequr ende bonusin e fundvitit, mund ta tërheqin atë deri më 30 qershor 2025.
Krahas punës për reformimin e sistemit të pensioneve me qëllim dhënien e një pensioni më dinjitoz, qeveria po mbështet pensionistët me bonuse.