Aldi Lleshi, autori i grabitjes dhe plagosjes së një efektivi dy ditë më parë në autostradën Laç-Lezhë, është shprehur se nuk kishte për qëllim të godiste policin. Gjatë marrjes në pyetje nga policia, Aldi Lleshi ka shpjeguar se gjatë grabitjes të ndodhur të enjten në vendin e quajtur “Kryqëzimi” synonte të grabiste paratë dhe mjetin “Porsche”.
“Nuk doja të vrisja policin, por të grabisja lekët dhe makinën. Qëllova, pasi u tremba dhe doja të largohesha.”, është shprehur ai.
Gjatë dëshmisë të zbardhur nga “GSH”, ai ka pohuar se qëlloi në drejtim të makinave për t’i hapur rrugën. Më pas braktisi automjetin dhe u largua në drejtim të një fushe pranë autostradës, duke mbajtur në dorë një pistoletë.
20-vjeçari u arrestua një orë më pas nga RENEA. Në operacionin për kapjen e tij, mbeti i plagosur me plumb në kokë efektivi Nikolin Gjergji, që fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.
Mësohet se 20-vjeçari njihet si person problematik në zonën e Laçit, i arrestuar dy muaj më parë nga policia për “plagosje të lehtë” dhe “kanosje”. Këto detaje janë bërë me dije nga drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, i cili kritikoi drejtësinë. (XH.A/SHUPLAKA)