Stoli dhe sende të tjera të çmuara në vlerë mbi 12.5 milionë euro (10.4 milionë paund) janë vjedhur në një shtëpi në Londër, raporton “The Guardian”. Policia është në kërkim të hajdutit, që dyshohet se kishte vepruar i vetëm në vjedhjen, që zgjati 19 minuta, në rezidencën e një miliarderi në Londër.
Hajduti hyri nëpërmjet dritares në katin e dytë dhe e shpërtheu kasafortën, për të kryer një nga vjedhjet më të mëdha ndonjëherë në një shtëpi britanike. Ai kreu vjedhjen më 7 dhjetor, ndërsa njerëzit ishin brenda. “The Guardian” ka raportuar të hënën për këtë vjedhje. Policia ka njoftuar se hajduti vodhi çanta të dorës Hermes Crocodile Kelly në vlerë 150 mijë paund, më pas 15 mijë paund kesh, dhe stoli në vlerë 10.4 milionë paund.
Në mesin e stolive ishte një unazë diamanti Graff 10.73 karatë, dy unaza diamanti flutur nga De Beers, një unazë 3.03 karatësh të Hermesit, si dhe një gjerdan “Niloticus Lumiere”.
Familja nga e cila u vodhën stolitë është me origjinë nga Hong Kongu. Ajo ka ofruar shpërblesë për kapjen e hajdutit.