Ish-kryeministri Sali Berisha nga studio e ABC-News ka folur në lidhje me grabitjen e 6 milion eurove të Rinasit, duke u shprehur me bindje se brenda dy tre ditësh do të gjenden një pjesë e vogël e kësaj shume, sikurse thotë ai “në Elbasan ose aty afër”.
Madje ish kreu i demokratëve tregon edhe vendin se ku dhe sasinë e saktë të parave që do të gjenden.
“Atë e vrau banda sepse banda po i merrte paratë për shtetin dhe jo për Admir Muratajn. Atë e kishin marrë si beden. Ç’po ndodh? Ajo që ndodhi edhe me vjedhjen herën e parë. Ku i gjetën paratë? U gjetën 12 mijë euro në frigorifer, nja 10 mijë euro në tenxhere me presion, tani do gjenden në lavatriçe. Brenda dy-tre ditëve, në Elbasan ose aty afër do të gjendet lavatriçja plot me euro. Nuk shkon më shumë se 100 mijë. Do gjenden të tjera në vorbën e fasuleve, të tjera në qyp. Pse nuk lëshohen urdhra arresti? Asnjë! Ka një drejtor të Aviacionit Civil?!”– theksoi Berisha.
Berisha po ashtu ka përmendur një sërë zyrtarësh të cilët sipas tij duhet të jenë në burg për mos marrjen e masave të sigurisë në aeroportin e Rinasit.
“Ndodhi vjedhja e parë më 30 qershor 2016 për hir të së vërtetës Prokuroria e Krimeve të Rënda lëshoi 5-6 urdhra arresti. Ndërsa tani njeriu tjetër që duhet të arrestohet është Sandër Lleshi, ish-kryetar i Bordit, njeriu tjetër që duhet të arrestohet është Belinda Balluku, njeriu tjetër që duhet të arrestohet është Engjëll Agaçe, është drejtori i Aviacionit Civil. Ndodhi vjedhja e parë. Shteti çfarë bën? Edhe enti ndërkombëtar i aviacionit parashtroi 40 kërkesa për t’u plotësuar. Ka një komision të lartë sigurie, i cili ka dorëzuar Sandër Lleshit, Belinda Ballukut dhe sekretarit të Përgjithshëm të mafies shqiptare, Don Agaçios të gjitha masat që duhet të merreshin në aeroport që kjo të mos ndodhte më”, theksoi ai.
(B.L/FaxWeb.al)