Policia ka dhënë një version tjetër përsa i përket plagëve të së moshuarës e cila u grabit në banesën e saj nga disa persona të maskuar dje në Belsh të Elbasanit.
Në banesën e një çifti të moshuarish një person ka hyrë dhe ka vjedhur kursimet e tyre, rreth 2 milion lekë të vjetra.
Fillimisht u raportua se autori kishte dhunuar gruan e vjetër dhe më pas e kishte grabitur, ndërsa para pak minutash policia deklaron se gruaja nuk është dhunuar por është rrëzuar nga shkallët kur është përplasur me autorin teksa po largohej me shpejtësi.
NJOFTIMI I PLOTË
Më datë 21.08.2017, rreth orës 23.30 është marrë informacion nga salla operative për një vjedhje banese në Lagjen “Tafani” në Belsh.
Menjëherë në vendngjarje u nisën shërbimet e policisë ku konstatuan se në banesën e shtetasit M.T., 72 vjeç , i cili jetonte me bashkëshorten e tij shtetasen N.T., 70 vjeçe, një person i paidentifikuar kishte hyrë në banesë ku sipas dëshmisë së dhënë nga dy bashkëshortët dyshohet se autori kishte vjedhur 2 milionë lekë të vjetra.
Sipas deklarimeve të shtetases N.T, në momentin e ndodhjes së ngjarjes bashkëshorti i saj kishte dalë në qëndër të qytetit të Belshit, ndërsa vetë e moshuara kishte shkuar tek një komshie.
Në momentin që shtetasja N.T ka parë ndezur dritat e shtëpisë ka shkuar për tek banesa e saj dhe në shkallët e katit të parë është përplasur me autorin i cili po dilte me shpejtësi nga shtëpia për tu larguar, ku për pasojë shtetasja N.T është rrëzuar nga shkallët.
Menjëherë, e moshuara është dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin Kirurgjik të Elbasanit dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e policisë, po punojnë intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja” parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal. (J.V/Shuplaka)