Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka mbajtur pak minuta më parë një deklaratë për media në lidhje me grabitjen spektakolare të kryer në Rinas. Në deklaratën e saj, ndërsa ka bërë thirrje për bashkim qytetarë në protestën e së shtunës, Kryemadhi referuar grabitjes së të martës u shpreh se shteti ka rënë dhe qeveria është bërë palë me krimin.
Në lidhje me deklaratat e Ministrit të Brendshëm Lleshaj ditën e djeshme dhe Ministres së Infrastrukturës Ballukut sot, të cilët akuzuan koncensionarët përgjegjës për situatën e krijuar, ndërkohë që këta të fundit akuzojnë qeverinë si të tillë, Kryemadhi është shprehur se: “Të gjithë ja hedhin fajin njëri tjetrin duke bërë deklarata boshe”, ndërkohë sipas saj “qeveria që nuk përfaqëson qytetarët, por përfaqëson bandat.”
Ndër të tjera Kryemadhi shprehet: “Sot qytetarët shqiptarë ndihen të pasigurt sepse aeroporti i Rinasit paraqitet si një objekt i atakueshëm nga kriminelët sa herë ju duhet për ta atakuar këtë institucion, por edhe sa herë që ju duhen para për tu bërë gati para zgjedhjeve.
Qeveria në vend të marrë përgjegjësit u ikën përgjegjësive, me një sjellje që i dekurajon qytetarët, duke i dhënë mbështetje kriminelëve të cilët nuk ndihen të rrezikuar nga forca e ligjit, por ndihen të mbrojtur nga qeveria.
Qytetarët e thjeshtë ndihen të pasigurt, sepse nuk është larguar asnjë nga detyra ose të jetë thirrur ndonjë nga prokuroria. Ndërkohë arrestohen ata që luftojnë për të mbrojtur shtëpitë e tyre.
Të gjithë ja hedhin fajin njëri-tjetrit duke bërë deklarata boshe.
Sa herë që kriminelët hyjnë dhe duan të grabisin është bërë e qartë dështimi i qeverisë. Kësaj qeveria që nuk përfaqëson qytetarët, por përfaqëson bandat.
Një polici e dorëzuar dhe e çorganizuar demonstron rënien e shtetit dhe demonstron që një polici e tillë i shërben bandave”