Presidenti i Republikës, Ilir Meta në një deklaratë para mediave tha se është e papranueshme përsëritja e grabitjeve në aeroportin e Rinasit, duke argumentuar se ngjarja e djeshme ka kërcënuar seriozisht sigurinë në vend.
“Si president i Republikës e konsideroj ngjarjen cenim serioz të sigurisë kombëtare, të rendit publik dhe imazhit të vendit tonë. u kërkoj agjencive ligjzbatuese të vazhdojnë operacionin për kapjen e personave përgjegjës dhe gjetjen e vlerave monetare.
Të gjitha autoritetet përgjegjëse të kryejnë hetime të plota dhe të thella për zbardhjen e shpejtë të kësaj ngjarje të rëndë. Të nxirret përgjegjësisë çdo institucion, që nuk ka kryer detyrën sipas ligjit për prandalimin e kësaj ngjarje që mund të kishte pasur pasoja tragjike për jetën e qytetarëve shqiptarë dhe të huaj. Përsëritja e kësaj ngjarjeje është e papranueshme.
Të gjitha autoritetet përgjegjëse duhet të bëjnë gjithçka për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë e të përsëritur. Të nxirren dhe marrin përgjigjen e merituar përgjegjësit e kësaj ngjarjeje të rëndë që mund të kishte qenë me pasoja edhe më të rënda. Mungon garantimi i sigurisë në aeroport.
Kam vënë vazhdimisht në dukje mungesën e standartit të sigurisë. Kërkoj zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje duke nisur një hetim të plotë dhe të thelluar”, tha Meta.
Duke folur për rolin e tij në çështjen e sigurisë kombëtare, Meta tha: “Si vend anëtar i NATO-s kemi detyrimin të garantojmë dhe standardet më të larta të sigurisë. Si kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare më 16 maj të vitit 2018 kam organizuar mbledhjen e këtij këshilli me objekt gjendjen e sigurisë kombëtare.
Pika e tretë e axhendës së këtij takimi ishte pikërisht raporti për pikat strategjike portuale dhe aeroportuale të Republikës së Shqipërisë. Kam ngritur shqetësimin lidhur me mungesën e përgjegjësive të qarta që viheshin re mbi garantimin e sigurisë në aeroportin Nënë Tereza, mangësitë në akses dhe ndërhyrjen e Policisë së Shtetit në raste rreziku”, deklaroi Presidenti.
Deklarata e plotë e Metës:
Nisur nga ngjarja tronditëse e grabitjes së djeshme në Aeroportin “Nënë Tereza”, ndiej detyrimin dhe përgjegjësinë si President i Republikës për këtë komunikim të drejtpërdrejtë me ju dhe opinionin publik.
Përsëritja e kësaj ngjarjeje brenda një objekti të sigurisë kaq të veçantë është e papranueshme dhe tregues i një mungese të theksuar të funksionimit dhe përgjegjshmërisë të institucioneve të sigurisë.
Si vend anëtar i NATO-s, kemi detyrimin të garantojmë standardet më të larta të sigurisë, veçanërisht atë të infrastrukturës strategjike portuale dhe aeroportuale.
Si kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, më 16 maj 2018, sikurse dhe ju e dini, kam organizuar mbledhjen e këtij Këshilli me objekt “Gjendjen e sigurisë kombëtare dhe direktivën vjetore të sigurisë së Republikës së Shqipërisë për vitin 2018; kontrollin dhe menaxhimin e integruar të kufijve, luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe emigracionit të paligjshëm; emergjencat civile, sigurinë e infrastrukturave strategjike portuale dhe aeroportuale dhe mbrojtjen kibernetike”.
Pika 3 e axhendës së këtij takimi ishte “Raporti mbi sigurinë e infrastrukturave strategjike, portuale dhe aeroportuale, të RSH-së”.
Bazuar mbi raportet paraprake të përcjella nga institucionet përgjegjëse, kam ngritur në mënyrë të veçantë shqetësimin lidhur me:
Mungesën e përgjegjësive të qarta mbi sigurinë në Aeroportin Nënë Tereza;
Mangësitë në akses dhe koordinim për ndërhyrjen e duhur të Policisë së Shtetit në rast rreziku.
Këto shqetësime u mbështetën dhe u evidentuan edhe nga përfaqësuesit e disa Institucioneve të rëndësishme në këtë mbledhje.
Në konkluzion të kësaj pike të axhendës u evidentua domosdoshmëria e trajtimit urgjent të të gjithë problematikës dhe zgjidhjen e saj përfundimtare.
Në përfundim të mbledhjes së Këshillit, detyrat e dala për secilin institucion u janë përcjellë zyrtarisht të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, më 8 qershor 2018, sipas përgjegjësive përkatëse.
Ndër këto detyra, është kërkuar ngritja urgjent e grupit të përbashkët të punës nën drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për trajtimin dhe zgjidhjen përfundimtare të të gjithë problematikës së sigurisë në aeroportin “Nënë Tereza”, sikurse u evidentua edhe gjatë ngjarjes së grabitjes së parë brenda pistës së fluturimeve.
Në këto kushte, si President i Republikës e konsideroj ngjarjen e përsëritur të grabitjes së djeshme brenda territorit të aeroportit “Nënë Tereza” cënim serioz të sigurisë kombëtare, rendit publik dhe imazhit të vendit.
U kërkoj agjencive ligjzbatuese të vazhdojnë me vendosmëri operacionet për identifikimin e plotë dhe kapjen e autorëve, si dhe gjetjen e vlerave monetare të grabitura.
Të gjitha autoritetet përgjegjëse dhe institucionet ligjzbatuese të kryejnë hetime të plota dhe të thella për zbardhjen e shpejtë të kësaj ngjarjeje të rëndë dhe të përsëritur.
Të nxirren dhe të evidentohen përgjegjësitë e plota për çdo institucion që nuk ka kryer detyrën sipas ligjit për parandalimin e kësaj ngjarjeje të përsëritur, që mund të kishte patur pasoja edhe më të rënda dhe të rrezikshme me pasoja tragjike për jetën e qytetarëve tanë dhe të huaj.
Prokuroria të hetojë jo vetëm grabitjen e djeshme por edhe për mosmarrjen e masave në përmbushjen e detyrimit ligjor dhe rekomandimeve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë të çdo institucioni dhe individi që nuk ka kryer detyrën.
Nga ky moment Institucioni i Presidentit të Republikës, vendos në dispozicion të Prokurorisë të gjithë dokumentacionin që disponon mbi zhvillimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të datës 16 maj 2018 dhe konkluzioneve të tij.
(F.GJ/FAXWEB.AL)