Reshjet intensive të dëborës dhe stuhitë e fuqishme gjatë natës kanë krijuar vështirësi të mëdha në qarkullim në zonat malore të rrethit të Gramshit. Gazetari i Fax News, Shkëlzen Henkoja, raporton se në fshatin Rovje, trashësia e dëborës ka arritur mbi 30 centimetra, ndërsa në disa segmente rrugore, për shkak të vortekseve, ajo ka kaluar deri në 2 metra.
Aksi rrugor që lidh rrethin e Gramshit me zonën e Mokrës në Pogradec aktualisht është i bllokuar dhe i pakalueshëm. Deri tani nuk raportohet për automjete të mbetura në rrugë, por udhëtarët këshillohen të shmangin këtë drejtim deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.
Autoritetet dhe banorët lokalë apelojnë për ndërhyrje urgjente për hapjen e rrugëve dhe normalizimin e qarkullimit në zonë.