Mjekja psikiatre Arjana Rreli në një intervistë për Fax News ka folur për problemet e shëndetit mendor, të cilat gjatë pandemisë sipas saj u evidentuan shumë më shpejt, dhe njerëzit të ishin në gjendje që ti pranonin ato. Rreli tha se fakti që njerëzit vuanin të njëjtat shqetësime, bëri që të kishin tendencën ti shprehnin ato mes tyre dhe të kërkonin ndihmë më shpejt.
“Njerëzit filluan që të ankoheshin me shpejt, ne të gjithë jemi bashkëvuajtës jo vetëm të kësaj që solli pandemia, por edhe gjithashtu jemi bashkë dhe për atë si na ka prekur psikologjikisht.
Në bisedat tona nuk ka njerëz që nuk ankohen për çrregullime të gjumit, të humorit, kjo na bën ne që të jemi më pak të kompleksuar.
Problemet me trurin janë njësoj si të gjitha sëmundjet e tjera, duhet të kujdesemi njësoj si për sëmundjet e tjera”, tha Rreli.
Në lidhje me grupmoshat më të prekura, Rreli tha se efektet janë ndjerë edhe të fëmijët, ndërkohë që mosha aktive është ajo që po vuan më së shumti pasoja.
“Sa i takon grupmoshave ka një gjithëpërfshirje, mosha më e prekur është ajo aktive 20-45 apo 50 vjeç është mosha më e prekur, pasi ajo është dhe mosha më e sulmuar nga pandemia. Në këtë moshë shumica e njerëzve, kanë ndërprerë marrëdhënien me punën, të tjerë ndërruan stilin e të punuarit, ndërkohë që mund të ishin prindër dhe duhet të suportonin fëmijët e tyre. Nuk mungojnë këto problematika dhe te fëmijët e adoleshentët, që përjetuan keq izolimin social.
Mosha e tretë e vuajti këtë problem, pasi jetuan me traumën se ishin grupmosha më e afërt për të prekur vdekjen si pasojë e Covid, bashkëngjitur problemit të largimit të fëmijëve të tyre. Pleqtë vuajnë vetminë e tyre, dhe pasojat që kanë të bëjnë me shëndetin mendor”, u shpreh Rreli.
Femrat sipas Rrelit janë ato që i pranojnë më shpejt problemet me shëndetin mendor, në krahasim me meshkujt, që efektet dhe pasojat i kanë më të rënda, por kanë njëlloj hezitimi për ti shfaqur.
Sa i takon fëmijëve, Rreli tha se ata shpeshherë ndihen të lënë pas dore nga prindërit e tyre, të cilët më shumë përpiqen që tiu sigurojnë atyre të mira materiale.
“Femrat janë ato që e tregojnë më shumë vuajtjen e tyre, edhe për shkak se konsiderohen si gjini më e dobët në krahasim me mashkullin, e gjejnë të drejtën për ta thënë dhe për tu ankuar shumë më shpejt, ama komplikacionet i kanë më të rënda meshkujt.
Sot fëmjët po ndihen gjithnjë dhe më të neglizhuar, kohërat e sotme kërkojnë që vërtetë prindërit të jenë të përfshirë në një jetë frenetike, duke harruar që fëmijët kanë nevojë për vëmendje, dhe jo vetëm për të mira ekonomike.
Prindërit jo vetëm që vrapojnë për të bërë punën e tyre, por harrohen në rrjetet sociale në kohën kur duhet tiu përkushtohen fëmijëve, duke krijuar ndjesinë e lënies pas dore”, tha psikiatrja.