Edi Rama e rrëmbeu i vetëm timonin. Këto zgjedhje që u bojkotuan nga ata që kanë braktisur me kohë Shqipërinë, nga ata që nuk patën besim tek një opozitë e kalbur që deshi të sillet si qeveri apo tek një parti qeveritare që deshi të bëjë si opozitë, treguan disa gjëra. Ato treguan se në mjedisin shqiptar mjafton të heqësh një muaj kravatën dhe të vishesh me tuta; të mos bësh premtime, por të thuash batuta; të mos sjellësh asnjë investim të huaj, por të bojatisësh fasadat; të thellosh borxhin pa ndërtuar asnjë vepër madhore, pra mjaftojnë vetëm këto, për të thelluar rrezultatin dhe për të qëndruar në pushtet.
E përsëri ja ku jemi tek pyetja: mos vallë votuan shqiptarët gabim? Si është e mundur që fitoi Edi Rama? Si është e mundur që ai mori shumë më tepër deputetë se katër vite më parë?
Përpara se t’i jepet jetë teorisë të gabuar të një populli që i kupton me vonesë gjëmat e pushtetit, duhen eksploruar disa shkaqe të tjera.
Edi Rama fitoi si pasojë e bojkotit masiv dhe këtë e tregon fakti se në numur votash ai nuk ka pësuar asnjë ngritje të ndjeshme në raport me katër vite më parë.
Edi Rama fitoi sepse partia me të cilën u ndesh më ashpër se kushdo në fushatë, pra LSI-a, ishe një forcë politike, që qe po aq përgjegjëse sa ai për këtë perudhë të ushtrimit të pushtetit. Çuditërisht njësoj si Rilindja edhe partia e mbetur jetim pa Ilir Metën e rriti numrin e deputetëve.
Edi Rama fitoi sepse partitë e reja dështuan. Cinikë deri në ekstrem, të zhgënjyer deri në kockë dhe të lodhur nga politika, ajo pjesë e elektoratit të lëvizshëm që kthen kamp, zgjodhi më parë pazarxhijtë që blejnë votën me para, sesa politikanët që u ofrohen me projekte ndryshimi.
Por, mbi të gjitha Edi Rama fitoi pasi ai i’a mbërriti qëllimit që ta shndërrojë Lulzim Bashën në një dordolec qesharak. Ky i fundit i’a doli t’i bëjë PD-së atë që nuk ia ka bërë dot as byroja politike, as vrasësit e 1 prillit, as Zani Çaushi dhe as Jaho Salihi. Lulzim Basha do të hyjë në histori si ekzekutori i pamëshirshëm i një partie që lindi si shpresë dhe po kalbet si kufomë. Ai e zavarriti për katë vite opozitën nën hijen e errët të trashigimisë së Berishës dhe tregoi, në kulm të fushatës, atëherë kur shumëkush priste fitoren, se qe i gatshëm ta vyshkte edhe katër vitet e ardhshme nën erësirën e Ramës. Ai nuk bëri gjë tjetër, veçse na tregoi të gjithëve së bashku, se ai kishte vlerë vetëm i fshehur në çadër. Se po të dilte cullak, në sytë e gjithë botës do të rrezultonte si tani: një butafori e mjerë.
Megjithatë, pavarësisht nga dështimet e të tjerëve, Edi Rama fitoi edhe për meritë të tij. Në këtër vite ai arriti të konsolidoi një pushtet oligarkik, i cili punoi në fund vetëm për të. Të gjithë përfituesit e koncesioneve maramendëse, të lejeve të ndërtimit, të gjithë trafikantët e mëdhenj të hashashit që i shpëtuan ndëshkimit që në Lazarat, të gjithë bosët e televizioneve të mëdha që kanë shumfishuar pasurinë, u vunë në shërbim të tij. Me këtë pushtet të madh financiar dhe propagandistik në dispozicion, Edi Rama nuk mund të mos t’ia dilte të krijonte një realitet të remë për qeverisjen e tij 2013-2017.
Por pyetja që shtrohet tani pas kësaj fitoreje dërrmuese është : Ç’do të ndodhë më pas ? Ç’drejtim do të marrë vendi tani që Timonieri i vetëm do të ketë një mbështetje të gjërë në parlament ?
Rreziku i parë është zbehja e thellë e opozitës.
Nga njëra anë LSI-a e zmadhuar në numra, nuk dihet se sa do t’i rrezistojë faktit që pas tetë vitesh nuk do të jetë më një parti e pushtetit. Ajo kërcënohet nga avullimi i votës klienteliste dhe ndryshimi i mënyrës së financimit. Po t’i shtohet kësaj edhe fakti se ajo do t’a ketë liderin e saj real me duar të lidhura në presidencë, askush nuk mund të vërë bast për forcën e saj reaguese.
Gjendja është edhe më keq në një parti në prag të katastrofës si PD-ja. Këto zgjedhje treguan se recetat e plakut Sali i përkasin shekullit të shkuar, po aq sa servilizmi dhe pafuqia e Bashës i përket një modeli të dështuar. PD-së prpara se të men dojë për opozitën do i duhet një kohë e gjatë të merret me veten. Do i duhet të kalojë nëpër kalvarin e një prerje kokash dhe ndryshimi radikal, nëse do vërtet që një ditë të rigjallërohet. Por ky proces riskon t’a mbajnë larg misionit vendimtar të të bërit opozitë. Për t’u bërë e besueshme për shqiptarët PD duhet të fillojë të besojë së pari tek vetvetja.
E gjitha kjo situatë rrezikon që t’a lërë Timonierin e madh fare pa frena. Ai tani mund të realizojë gjithçka kishte në kokë. Ta japë gjithë shtetin me koncesion. Të mbushi Shqipërinë me plehra të importuara. Të dendësojë Tiranën me kullat që planifikoi që kur kryesonte bashkinë. Pra, shkurt, të realizojë projektin e tij final, për t’a qeverisur vendin duke e akumuluar të gjithë pushtetin ekonomik dhe financiar në duart e pak oligarkëve. Ai rrezikon të ndjekë të njëjtën skemë, me të cilën akaparoi PS, përmes klientëve të tij të pasur, me të cilën kontrolloi parlamentin e shkuar, përmes kriminelëve që futi aty. Në të njëtën mënyrë Rama planifikon të kontrollojë Shqipërinë e nesërme duke e ndarë atë në pak duar të super të pasurve pranë tij.
Në këtë mënyrë zgjedhjet e katër viteve më pas do të jenë vetëm lojë.
Gremina e një sistemi alla Putin apo Erdogan duket me e afërt se kurrë.