I dërguari i presidentit amerikan, Donald Trump, për misione të veçanta, Richard Grenell tha se “retorika e Kurtit [kryeministrit të Kosovës] duke pretenduar se është afër SHBA-së, është plotësisht e rreme”.“Mos u mashtroni”, shkroi Grenell në X – që më parë njihej si Twitter.
“Komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar kundër Kurtit. Kompanitë amerikane po zgjerohen në Shqipëri dhe Serbi, por jo në Kosovë për shkak të Kurtit. Kurti ka qenë gjithashtu kundër çdo ideje të SHBA-së që është ofruar nga presidentët Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump. Retorika që përdor Kurti tani, duke pretenduar se është afër SHBA-së dhe më i mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është plotësisht e rreme. Mos u mashtroni”, shkroi ai.
Grenell, ndër të tjera, tha se administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë për paqen për të gjithë në Ballkan.
“Por na duhen partnerë të besueshëm. Qeveria e Kurtit nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trump-it, as gjatë mandatit të Biden-it. Si republikanët ashtu edhe demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për veprime të njëanshme që destabilizojnë rajonin. Këtë e kanë bërë edhe BE-ja dhe NATO”, tha ai.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në disa raste, ka deklaruar se marrëdhëniet me SHBA-në “janë të forta”. Për këto raporte, Kurti ka folur edhe në tubimin elektoral në Ferizaj, më 2 shkurt.
“Bashkëpunimi Kosovë-Amerikë me neve nuk ka qenë vetëm me State Departamentin diplomatik, por edhe me Departamentin e mbrojtjes dhe në bashkëpunim zhvillimor e energjetik. Grantin më të madh prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka marrë nga qeveria jonë”, ka thënë Kurti.“Kurrë nuk i kanë pasur qeveritë e Kosovës së çliruar marrëdhëniet më të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës se sa qeveria jonë, dhe kurrë shteti i Kosovës nuk ka përfituar nga bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sikurse që ka përfituar gjatë qeverisë tonë në këtë mandat katër-vjeçar. E ish-pushtetarët, qeveritë e mëhershme, raportet me SHBA-të dhe perëndimin i përdornin për pushtet, për karriget e tyre, për me u ngjit pak më lartë e për me qëndru pak më gjatë, ne i përdorim për shtet e jo për pushtet, për me ngjit shtetin lart e më lart”, ka thënë ai.