Emisari Special i Presidentit Donald Trump, Richard Grenell ka thënë se Kosova dhe Serbia meritojnë normalizim të ekonomisë si shans për të krijuar një ekonomi që sjell përfitim.
Grenell ka shkruar në Twitter se është i fokusuar te njerëzit e rinj që duan punë dhe karrierë dhe për këtë do të shtyjë përpara axhendën ekonomike duke lënë anash politikën.
“Njerëzit e Kosovës dhe Serbisë meritojnë normalizim të ekonomisë dhe shanse për të krijuar një ekonomi që sjellë përfitim. Sot jam i fokusuar te njerëzit e rinj që duan karrierë, një punë të mirë dhe lidhje me perëndimin. Ju kam dëgjuar dhe do ta shtyej përpara këtë agjendë. Le ta lëmë politikën anash”, ka shkruar Grenell.
Nesër pritet të mbahet takimi mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë me ftesë të Këshilltarit për Siguri Kombëtare të presidentit Trump, Robert O’Brien. Dy palët pritet të flasin për tema ekonomike, ndërkaq nuk është përjashtuar edhe diskutimi për tema politike mes dy shteteve.
Në këtë takim delegacioni kosovar përfaqësohet nga kryeministri Avdullah Hoti, zëvendëskryeministrat, Driton Selmanaj dhe Albulena Balaj-Halimi, koordinatori shtetëror për dialogun, Skender Hyseni dhe ministrat, Selim Selimi, Meliza Haradinaj-Stublla dhe Arban Abrashi.