Ish-ministri Edmond Panariti ka folur me skype për Fax News në lidhje me situatën e shkaktuar në pikat kufitare më Greqinë ku fajësoi drejtpërdrejt qeverinë si përgjegjëse kryesore dhe keq-menaxhim të kaosit të krijuar.
Panariti ka përmendur rëndësinë e ambasadës shqiptare në Greqi, për të cilën tha se ka një peshë mjaft të madhe ndërsa bllokimin e qytetarëve në kufi e cilësoi si një kurth të pa lajmëruar.
“Në krye të saj kemi një person të kalibrit të rëndë diplomatik, pesha e ambasadës tonë në Greqi është mjaft e madhe dhe nuk ka gjë më të rëndësishme se çështja e shqiptarëve dhe lëvizja e tyre, diçka që duhej dhe mund të ishte parandaluar. U ndodhën në një kurth që u kthye në krizë humanitare, pati dhe kosto të mëdha njerëzore, humbi jetën një fëmijë, kishte probleme shëndetësore tek disa persona. Qëndruan sikur të ishin emigrantë në vendin e tyre, mes një vape asfiksuese, përgjegjësia është vetëm e qeverisë. Dëgjova edhe përfaqësues të qeverisë që fajësonin qytetarët. Shqiptarët bënë atë që bëjnë zakonisht për të shfrytëzuar një priudhë të shkurtër për të parë të afërmit e tyre”, tha Panariti.
Ish-ministri pohoi se kishte mungesë të theksuar informacioni ndërsa shton se të gjitha kapacitetet shtetërore duhej të përqëndroheshin në kufi për t’ju ardhur në ndihmë dhe lehtësuar situatën ndaj udhëtarëve, si me testimet për Covid ashtu edhe rrugëzgjidhjen për të mos qëndruar në qiell të hapur.
“Kishte mungesë informacioni, qytetarët u kapën në befasi. Të gjitha kapacitetet tona duhet të spostoheshin atje, që testet të kryheshin dhe qytetarët të lëviznin. Për ditë të tëra nuk lëvizi njeri, vetëm me ndonjë njoftim shkarazi në Twitter. Njerëzit ishin të kërcënuar nga risqet në mes të vapës, pa uji, pa ushqim”.
Për Panaritin, Greqia nuk ka asnjë përgjegjësi përveç impenjimit më të madh që mbase duhej të krijonte, ndërsa i është referuar situatave ku për një shtetas të vetin, është e aftë të krijojë një krizë të thellë diplomatike.
Ai tha se një akt i tillë dhe kulturë e tillë politike tregon pjekurinë dhe funksionimin e një shteti që iu del për zot qytetarëve të tij.
Nuk do vija gishtin tek pala greke, duhej të kishte edhe ajo impenjimin, por është një shtet jashtë kufirit dhe i vendos në mënyrën e saj rregullat e veta. Kryeministri apo ministri ynë i jashtëm duhej të kishin zhvilluar komunikim të menjëhershëm më homologët e tyre. Jemi një shtet që nuk ushtron integritetin, që për një qytetar të vetin, shteti fqinj ngre alarmin dhe ngre shqetësimin në të gjitha kancelaritë, kjo tregon përgjegjshmërinë e një shteti. Është gati të krijojë një krizë të thellë diplomatike, dhe bravo i qoftë se tregon se është shtet. Ne jemi shtet pa dikastere, pa ministri të jashtme, pa diplomaci.
Patjetër që duhej bërë tamponimi falas, nuk mund të ngarkosh qytetarin me një kosto të papërballueshme. Shteti duhej përgjigjur duke mbuluar kostot, gjë që nuk u bë”, tha Panariti.
(F.GJ/FAXWEB.AL)