Vendimi i pedagogëve për të hyrë në grevë, ka shkaktuar reagimin e Ministres së Arsimit, Besa Shahini.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Shahini shprehet se çdo ditë merr mesazhe nga studentë të cilët duan të kthehen në mësim, por pengohen nga pedagogët që sipas saj “disa prej tyre janë haptazi partiakë”.
Ajo shton se gjithësesi do të vazhdojë bisedimet me studentë e pedagogë, dhe do të kujdeset që të përmbushet pjesa e zotimit të marrë në dhjetor.
Postimi i Besa Shahinit
Çdo ditë më shkruajnë studentë që duan të kthehen në mësim tek fakultetet ku disa pedagogë kanë vendosur të mos mbajnë mësim. Më vjen keq që këta pedagogë, disa prej tyre haptazi partiakë, në vend që të shfrytëzojnë këtë momentum të krijuar nga protesta e të marrin pjesë në proces tashmë të filluar të adresimit të çështjeve që kanë, vendosin të bëjnë bojkot kur ky mjet proteste nuk ka më kuptim.
Më vjen keq gjithashtu që udhëheqësit e Universitetit të Tiranës nuk merren me pjesën që u takon për të adresuar çështjet që kanë pedagogët dhe studentët.
Sidoqoftë, ne do të vazhdojmë të diskutojmë me studentë dhe pedagogë për #paktinpëruniversitetin duke përmbushur pjesën tonë të zotimit që morrëm në dhjetor. Nëse universitetet janë të gatshme të plotësojnë kërkesat e studentëve, ne vëmë resurse në dispozicion dhe ua lëmë universiteteve të udhëheqin procesin.
E kemi thënë disa herë: asgjë nuk është e shkruar në gur. #paktipëruniversitetin është një pikënisje – mund ta pasurojmë dhe ndryshojmë siç duan aktorët e përfshrirë. Por kjo nuk ndodh me bojkot dhe ultimatum. Kjo ndodh me përfshirje dhe kontribut në procesin e pakthyeshëm për përmirësimin e cilësisë së arsimit te lartë dhe eksperiencës studentore në Shqipëri.
(B.B/ Faxweb.al)