Deputetja e Partisë Demokratike Grida Duma ka reaguar ashpër për skemën e re të qeverisë lidhur me ndihmën ekonomike.
Sipas saj janë përjashtuar nga ndihma në mënyrë arbitrare familje që vuajnë për bukën e gojës. Deputetja e PD-së ka publikuar edhe dokumentet sipas të cilave, i është kërkuar transparencë ministrisë së Shëndetësisë, sa i takon kësaj skeme.
Reagimi i plotë
“Përjashtimi nga skema e ndihmës ekonomike e mijëra familjeve u paralajmërua nga opozita kohë më parë, qeveria u fsheh duke mos dhënë asnjë sqarim dhe sot jemi para faktit të kryer ku vetëm këtë muaj janë nxjerrë dhe lënë pa asnjë ndihmë ekonomike mbi 20 mijë familje në gjithë Shqipërinë.
Qeveria jo vetëm ju ka hequr bukën e gojës fëmijëve, të moshuarve apo personave me aftësi ndryshe por edhe nuk iu jep asnjë sqarim mbi ç’baza dhe cilat kritere janë përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike.
Ne duke e parashikuar këtë situatë që kamuflohej me të fashmen “reformë” kemi kërkuar të bëhet transparente formula që përzgjedh familjet përfituese të ndihmës ekonomike. Kemi kërkuar publikisht, në seancë parlamentare dhe i jemi drejtuar me shkresë zyrtare ministrisë përkatëse. Pas presionit të vazhdueshëm vetëm sot erdhi përgjigjia që Ministria e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, në përgjigje të shkresës sonë të dërguar në janar të 2018.
Në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë fatkeqësisht pranohet ajo ç’ka qeveria ka mohuar dhe fshehur me vite ndaj publikut.
Sic shihet në shkresën bashkëngjitur qeveria pranon atë që opozita dhe qytetarët kishin dhe e kanë shqetësim, kriteret e ndihmës janë subjektive dhe tërësisht abuzive. Në kriteret e ndihmës ekonomike radhiten edhe pajisje bazike jetike të cilat mund t’I ketë cdo familje e varfër.
Siç mund të shihet në shkresën e ministrisë, radhitet si kriter nëse një familje ka: (1) tualet brenda shtëpisë, nëse përdor gaz(2), nëse ka sobë me dru(3), nëse ka lavatriçe (4) apo sobë elektrike.(5)
Mjafton të përmendim që familjeve në ndihmë ekonomike i janë shpërndarë falas dekodera, dhe po kjo pajisje po t’i gjendet në shtëpi e nxjerr nga skema e ndihmës, për të kuptuar sa abuzive është ndërtuar kjo formulë për ti lënë jashtë familjet më në nevojë.
Këto pajisje bazike janë pjesë e përzgjedhjes së familjarit që kërkon ndihmë ekonomike, dhe siç lihet evazive në shkresë mundet që po pate njërën prej tyre, pra po të kesh tualet brenda banesës, lavatriçe apo sobë me dru apo pa dru të skualifikohesh nga skema e ndihmës.
Kriteret ç’njerzore të vendosura në skemë, nuk bazohen në asnjë përcaktim apo vendim mbi cilat janë kushtet e jetës minimale të qytetarit shqiptar. Ndërkohë që kriteret duhet të bazoheshin vetëm në të ardhurat që ka një familje në muaj.
Përpos këtyre i kemi kërkuar qeverisë shqiptare jo vetëm të na sjellë me shkresë cilat janë kriteret por mbi të gjtha sa pikë ka seicili prej tyre dhe si përllogariten në çdo zonë ku po aplikohet kjo skemë.
Siç shihet dhe në përgjigjen e bashkëngjitur të ministrisë, mbajtja në fshehtësi e pikëve përkatëse që ka çdo kriter, pra sa pikë vlerësohet nëse qytetari ka një lavatriçe, sa pikë vlerësohet nëse ka një sobë dhe si variojnë në seicilën zonë të Shqipërisë; është qartësia që skema është e manipulueshme.
Kjo përgjigje e detyruar e Ministrisë së Shëndetësisë, vërtetoi shqetësimin tonë të parë që kriteret e vendosura për të përfituar ndihmën ekonomike janë jashtë standardit të kushteve të jetës minimale. Po ashtu vërtetohet që qeveria nuk pranon të bëjë transparente pikët përkatëse të çdo kriteri sepse nëse i publikon do të shfaqet qartë mënyra se si manipulohet me kriteret dhe përzgjedhjen e përfituesve.
Në këto kushte flagrante të shkeljes së të drejtës së informimit për qytetarët është bërë abuzimi me bukën e gojës apo me ilaçet e përditshme për çdo familje duke i hequr plotësisht nga skema.
Partia Demokratike do të ndjekë çdo hallkë dhe veprim politik dhe ligjor për të siguruar rimarrjen e të drejtës për ndihmë ekonomike të familjeve në nevojë.”