Mediat spanjolle kanë zbuluar të tjera prapaskena rreth kalimit të mundshëm të Antoine Griezmann te Barcelona gjatë kësaj vere.
Duke iu referuar asaj që shkruan madrilenja “AS”, sulmuesi francez i ka komunikuar që në dhjetor të vitit të kaluar trajnerit të Los Colchoneros, Diego Simeone, vendimin e tij për t’u transferuar te Barça.
“El Cholo” e ka falenderuar sulmuesin e përfaqësues së gjelave për sinqeritetin e tij, duke e mbështetur dhe duke i bërë të qartë se ai do të ishte një lojtar i rëndësishëm për Atleticon deri në fund të këtij sezoni për të ndihmuar skuadrën që të fitonte të paktën një titull.
Griezmann tashmë i ka të gjitha mundësitë për t’u larguar me një trofe nga skuadra bardhëkuqe.
Të mërkurën e ardhshme Atletico Madridi do të luajë një tjetër finale evropiane, pasi do të sfidojë në Lyon francezët e Marseille për trofeun e Europa League.
Nëse arrin ta fitojë ky do të ishte trofeu i dytë për Antoine Griezmann në këto 3 vite karrierë me Atleticon pas atij të Superkupës së Spanjës në 2014-ën.