Kreu i VMRO DPMNE në Maqedoni, Nikolla Gruevski, akuzoi LSDM-nw e Zoran Zaev dhe Bashkimin Demokratik për Integrim për përpjekje për “defaktorizimin e maqedonasve dhe ridefinimin e Maqedonisë si shtet”.
Në paraqitjen e parë pas negociatave mes LSDM-së dhe BDI-së për formimin e qeverisë së re, Gruevski drejtoi akuza të ashpra ndaj liderit social-demokrat, Zoran Zaev, për heqje dorë nga “interesat kombëtare dhe shtetërore” dhe lëshim ndaj kërkesave të shqiptarëve, që, sipas tij, nuk kanë fund.
“Ne po shohim një përpjekje të LSDM-së dhe BDI-së që të defaktorizojnë maqedonasit, popullin maqedonas, por edhe të bashkësive tjera etnike… po shohim se si LSDM-ja po bën garë me vetveten që sa më shumë t’iu japë partive shqiptare. Shtrohet pyetja: deri kur kështu? Deri kur me dhënie të tilla? A thua deri në momentin kur në shtet nuk do të ketë asgjë më për të dhënë, apo ndoshta deri sa një ditë të humbet edhe ajo që është arritur me shumë mund, me shumë gjak dhe shumë përpjekje”, tha Gruevski, duke paralajmëruar masa për të pamundësuar realizimin e programit të LSDM-së dhe BDI-së.
“Ne do të qëndrojmë fuqishëm në mbrojtje të interesave shtetërore dhe kombëtare, në çdo formë dhe në çdo situatë. Ne po vazhdojmë me vëmendje të ndjekim situatën, po komunikojmë me të gjithë, por ua tërheqim vërejtjen të gjithë atyre që duan të luajnë bixhoz me interesat shtetërorë dhe kombëtarë se në këtë shtet ka edhe të tjerë, të cilët mendojnë për këta interesa dhe janë të gatshëm të luftojnë për ta”, tha Gruevski.
Në Tetovë, kryesia e BDI-së ka nisur debatin lidhur me epilogun e negociatave me LSDM-në.
BDI do të vendosë nëse do t’i japë Zaev-it nënshkrimet e nevojshme të deputetëve të saj për t’u mandatuar nga presidenti Ivanov për kryeministër të Maqedonisë. (M.D/ Shuplaka)