Nga Aaaron Klein/Breitbart.com
Tre grupe të ashtuquajtur monitorues të qeverisë do të mblidhen bashkë për të paditur Departamentin e Sigurisë së Brendshme që të publikojë regjistrin e vizitave në Shtëpinë e Bardhë dhe në rezidencat e presidentit Trump në New York e Florida. I paraportuar në lajme për padinë është fakti që dy nga tri organizatat janë të financuara direkt nga ”Open Society Foundations” e miliarderit George Soros, ndërsa grupi i tretë është projekt i një fondi që bashkë me Sorosin ka financuar grupe majtiste.
”Politico”, e cila raportoi e para për padinë, dokumenton:
“Padia, e cila do të regjistrohet të hënën në gjykatën federale në New York, pretendon se Shërbimi Sekret ka dhunuar Aktin për Lirinë e Informacionit, duke mos iu përgjigjur kërkesave për detaje mbi vizitorët në Shtëpinë e Bardhë dhe vendet e tjera ku Trumpi kalon kohën që nga marrja e detyrës.
… Duke e bërë padinë në New York dhe jo në Washington, ku bëhen shumica e padive për shkelje të Aktit për Lirinë e Informacionit, kallëzuesit mund të jenë duke u përpjekur të shmangin pushimin e çështjes nga një precedent ligjor kyç që kufizon shumë të drejtën e publikut për të parë regjistrin e vizitorëve në kompleksin e Shtëpisë së Bardhë”.
Tre organizatat e padisë janë ”National Security Archive”, ”Knight First Amendment Institute në Columbia University” dhe ”Citizens for Responsibility and Ethics in Government” (CREW), për të cilën ”Politico” shënon se është përfshirë në çështje ligjore për regjistrimet qeveritare edhe në kohën e presidentit Bush.
Arkiva Kombëtare e Sigurisë dokumenton në seksionin “financues e përkrahës” në sitin e saj në internet se financohet nga ”Open Society Institute” i Sorosit, si dhe nga fondi ”Open Society Fund, Inc.”
”CREW”, grupi i dytë që është pjesë e padisë, e përshkruan vetën si organizatë që përdor “aksione legjore me ndikim të madh që kanë si objektiv zyrtarë të qeverisë që sakrifikojnë të mirën e përbashkët për interesa të veçantë”. ”CREW”, e cila nuk e publikon listën e donatorëve, ka marrë financime nga ”Open Society Foundations” i Sorosit. Sipas ”Discover the Networks”, organizata ka marrë fonde edhe nga ”Tides Foundation” i financuar nga Soros.
Në gusht 2014, aleati kohëgjatë i Hillary Clintonit, David Brock, themelues i grupit progresist ”Media Matters for America”, i financuar fuqishëm nga Sorosi, u zgjodh kryetar i bordit të ”CREW”. Brock u largua nga organizata dhjetorin e kaluar, por ”Politico” raportoi në janar se ”CREW” është pjesë e një rrjeti grupesh, për të cilët aktivistët po përpiqen të mbledhin 40 milionë dollarë për të hedhur Trumpin në gjyq. Po në janar, ”CREW” bëri një padi civile me pretendimin se Trumpi po shkel klauzolën kushtetuese që ndalon zyrtarët e qeverisë të pranojnë dhurata nga vendet e tjera.
Organizata e tretë që merr pjesë në padi është ”Knight First Amendment Institute” në Columbia University. Instituti, me një investim 60 milionë dollarë, u hap vitin e kaluar nga ”John S. and James L. Knight Foundation” së bashku me Columbia University. Projekte të panumërta të ”Knight Foundation” financohen gjithashtu nga Sorosi. ”Knight Center for Journalism in the Americas” në Universitetin e Teksasit, në Austin, për shembull, ka marrë një grant 270 mijë dollarë nga ”Open Society Foundations”. ”Knight Foundation” dhe ”Open Society” bashkëfinancojnë projektin e gazetarisë ”ProPublica”. Dy bamirësitë janë sponsorë themelues edhe të fushatës ”New Americans”, e cila kërkon “të ndihmojë në modernizimin e asistencës së natyralizimit në SHBA dhe të ndihmojë sa më shumë emigrantë të ligjshëm të përhershëm që të bëhen shtetas amerikanë”.
Që kur Trumpi mori detyrën, grupet e financuar nga Sorosi kanë udhëhequr përpjekjet të vazhdueshme për të ndaluar arritjen e objektivave të politikës së ndjekur nga Presidenti i SHBA.
Nesër koalicioni i grupeve aktiviste planifikon të zhvillojë një marshim masiv në Washington dhe të paktën 60 vende të tjera për publikimin e taksave të Trumpit. Edhe në këtë rast është lënë pa u përmendur nga ana e medias se shumica e organizatorëve dhe përkrahësve financohen hapur nga Sorosi ose kanë lidhje me financimet e tij.
Një nga organizatorët e marshimit është ”Indivisible Project”, i themeluar kohët e fundit, i cili ka ndihmuar në drejtimin e aktivizmit antiTrump në të gjithë Amerikën. ”Breitbart News” ka bërë të ditur në mënyrë të detajuar se liderët e Indivisible janë të lidhur hapur me grupet e financuar nga Sorosi.
Thuhet se Sorosi se ka lidhje edhe me më tepër se 50 “partnerë” të marshimit të grave kundër Trumpit që u zhvillua të nesërmen e inaugurimit të presidentit. Autori i këtij shkrimi ka raportuar i pari për lidhjet e ngushta të liderëve të marshimit me Sorosin.
Në shkurt, ”Breitbart News” raportoi se një grup i financuar nga Sorosi shpërndau trakte me pika diskutimi kundër Trumpit që qytetarët do t’i përdorinin në takime me zgjedhësit.
Teksti bënte sugjerime konkrete për akuzimin e administratës së Trumpit për “ksenofobi, racizëm dhe islamofobi”. Ai ngarkonte me detyrë aktivistët që të përdornin këto terma për të dënuar me forcë axhendën e presidentit për sigurinë e kufijve dhe emigracionin dhe të përkrahte legjislacionin kundër saj.
Në janar, avokatët e emigracionit nga grupet e financuar nga Sorosi, mbrojtës i politikës për kufij të hapur, nënshkruan padinë që bllokoi me sukses urdhërin ekzekutiv origjinal të Trumpit që ndalonte vizat për 90 ditë për shtetasit nga Siria, Somalia, Sudani, Libia, Jemeni, Irani dhe Iraku.
LEXO KËTU SHKRIMIN ORIGJINAL: http://www.breitbart.com/big-government/2017/04/14/soros-financed-groups-unite-sue-trump-white-house-visitor-logs/