Policia ka reaguar me një deklaratë për shtyp në lidhje me incidentin e orëve të para të mëngjesit të sotëm, ku është përfshirë dhe kryetari i Bashkisë Kolonjë Erion Isai, i cili paraprakisht u raportua se është qëlluar me grusht.
Sipas deklaratës së policisë mjeti në të cilin udhëtonte Isai është ndaluar nga një mjet tjetër dhe pas përplasjeve me fjalë, shtetasi Esmerald Kaçorri e ka goditur me grush kryebashkiakun aktual, njëherazi dhe kandidat për PS-në në këto zgjedhje.
Policia ka arrestuar Kaçorrin si dhe është referuar në polici dhe një shtetas tjetër XH.K 34 vjeç, të dy banues në fshatin Qinam Kolonjë.
Ndërkohë pretendime ka pasur dhe nga pala tjetër të cilët janë shprehur se Isai së bashku me kreun e PS-së në këtë qytet kanë qenë duke bërë fushatë në ditën e heshtjes zgjedhore, ndërsa dyshohet se kanë qenë dhe duke paguar para në këmbim të votës.
Deklarata e plotë e policisë:
Goditi me grusht, për shkak të detyrës, kryetarin e bashkisë Kolonjë, vihet në pranga 33-vjeçari.
Procedohet në gjendje të lirë edhe një shtetas tjetër, i përfshirë në konflikt, i cili pengoi me automjetin e tij, lëvizjen e automjetit me të cilin udhëtonte kryetari i bashkisë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kolonjë arrestuan në flagrancë shtetasin E. K., 33 vjeç, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”, si dhe referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, për shtetasin Xh. K., 34 vjeç, të dy banues në fshatin Qinam, Kolonjë.
Mbrëmjen e djeshme, në aksin rrugor “Korçë-Ersekë”, në afërsi të fshatit Qinam, shtetasi Xh. K., duke drejtuar automjetin tip “Ford”, i ka prerë rrugën automjetit me të cilin po udhëtonte kryetari i bashkisë Kolonjë, shtetasi E. I. (njëkohësisht dhe kandidat i PS-së për zgjedhjet vendore) dhe më pas kanë debatuar me fjalë me njëri-tjetrin. Në konflikt është përfshirë edhe shtetasi E. K., i cili e ka goditur me grusht në fytyrë, kryetarin e bashkisë Kolonjë.
Të gjitha veprimet procedurale për këtë rast janë kryer në drejtimin e Prokurorisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Discussion about this post