Nga Klodian Tomorri
Në Itali, çmimi i energjisë për familjarët dhe biznesin do të rritet me 40 për qind duke filluar nga pasnesër. Në Irlandë, fatura mujore e energjisë për konsumatorët është rritur me 21.5 për qind, ndërsa në Spanjë qeveria është në prag të rrëzimit, pikërisht për shkak të rritjes së çmimit të energjisë. Ky është prologu i asaj që po vjen.
Ndonëse në Shqipëri, vemendjen më të madhe në opionionin publik dhe debatet politike e ka marrë rritja e çmimeve për artikujt bazë, inflacioni i ushqimeve nuk është asgjë para asaj që po vjen. Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në një krizë të rëndë energjetike, e cila do të ketë pasoja dramatike për ekonominë, buxhetin publik, por ndoshta edhe buxhetet familjare.
Dështimet disavjeçare për të reformuar sektorin energjetik, veçanërisht për të ndërtuar burime të reja gjenerimi e kanë lënë vendin të pambrojtura ndaj krizave që vijnë nga jashtë. Dhe këtë herë kriza është me të vërtetë e rëndë. Në vetëm pak muaj, çmimi i energjisë në Europë është trefishuar dhe aktualisht një megavat orë tregtohet me 160-170 euro. Për të kuptuar se sa e rëndë është situata, mjafton vetëm një fakt. Sot çështja me e nxehtë e debatit në Parlamentin Europian është kriza energjetike.
Arsyet se pse Europa mbërriti në këtë situatë janë disa. Rregullat e reja të Bashkimit Europian për uljen e emetimit të dioksidit të karbonit kanë çuar në mbylljen e shumë burimeve të energjisë. Po kështu, disa nga vendet më të mëdha të kontinentit si Gjermania janë duke mbyllur me shpejtësi centralet bërthamore duke shtuar edhe më shumë hendekun mes kërkesës dhe ofertës së energjisë. Por faktori më i rëndësishëm që e zhyti Europën në krizë energjetike është mungesa e gazit natyror.
Ekspertët parashikojnë që që cmimet të vazhdojnë të qëndrojë në nivele rekord edhe për vitin tjetër, ndërkohë që shumë nga qeveritë e BE-së po u druhen revoltave popullore. Dhe Shqipëria do të jetë një nga vendet më të goditura nga kjo krizë.
Për shkak të thatësirës së zgjatur thuajse i gjithë furnizimi i vendit me energji po përballohet nga importi. Në shtator OSHEE shpenzoi 55 milionë euro për të blerë energji nga jashtë. Kjo është shuma më e madhe që Shqipëria ka shpenzuar ndonjëherë në historinë e saj për të blerë energji vetëm për një muaj.
Parashikimet janë që importet e energjisë do të vijojnë me ritme rekord edhe gjatë muajve në vijim. Rezervat hidrike në vend janë në nivele minimale për rrjedhojë edhe prodhimi. Financat e OSHEE tashmë janë të rrënuara. Struktura e tarifave të energjisë e ka të pamundur të përballojë këto çmime ndaj infeksioni po përhapet me shpejtësi në të gjithë sektorin e energjisë duke rrezikuar t’i çojë të treja kompanitë publike drejt falimentimit. Edhe pse teknikisht të paktën dy prej tyre janë sakaq të falimentuara. Për ta thënë më qartë, OSHEE dhe KESH nuk kanë më para për të siguruar furnizimin e vendit me energji elektrike.
Në korridoret e qeverisë kriza ka mbërritur zyrtarisht. Por përballë kësaj situate rrugët e zgjidhjes nuk janë shumë. Qeveria do të detyrohet të shpenzojë qindra milionë euro nga taksat e qytetarëve për të subvencionuar importin e energjise ose do ta përcjellë rritjen e çmimeve në faturën e familjeve dhe biznesit. Në çdo skenar, ata që do të paguajnë janë qytetarët. Por kjo krizë do të jetë një grusht shumë i fortë për ekonominë, financat publike dhe familjet shqiptare.