Deputeti gjerman Gunther Krichbaum nuk ka ndryshuar aspak qëndrim lidhur me çeljen e negociatave për Shqipërinë.
Ai shkruan sot se nëse mendohet çelja e negociatave me Shqipërinë të bëhet para verës, për të është shumë herët.
“Ne na duhet të vendosim për fillimin e negociatave të pranimit me Shqipërinë para verës. Mendoj se është shumë herët”, shkruan Krichbaum.
Gunther Krichbaum e ka bërë këtë koment pasi ka shpërndarë intervistën e tij dhënë në ‘’Die Welt”.
Në intervistën e dhënë për median gjermane, deputeti i CDU-së thotë se Shqipëria nuk është ende gati për të ndërmarrë këtë hap të rëndësishëm, ndërsa nuk mendon të njëjtën gjë për Maqedoninë, që sipas tij ka pasur më shumë ecuri.
“Për momentin, unë kundërshtoj qartë hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë, do të ishte shumë herët. Megjithëse Shqipëria ka nisur shumë reforma, për shembull reformën në drejtësi, ato duhet të zbatohen menjëherë. Kjo është veçanërisht e vërtetë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, i cili shpesh arrin nivelet më të larta të qeverisë’’, tha politikani i CDU.
(E.K/FAXWEB.AL)