Për këdo që ka ndjekur zhvillimet ekonomike të vendit, qoftë edhe me një interes të tërthortë, ecuria e kursit të këmbimit ka qenë dhe mbetet një ndër temat më të diskutuara të vitit 2023.
Monedha jonë kombëtare, Leku, ka shfaqur një rritje të konsiderueshme të vlerës së saj kundrejt euros dhe monedhave të tjera. Kursi mesatar i këmbimit të lekut kundrejt euros në vitin 2023 ishte në nivelin 108.7 lek/euro, nga mesatarisht 119.0 lek/euro gjatë vitit 2022. Kjo ecuri nënkupton një forcim vjetor të lekut prej 8.7%.
Arsyet dhe pasojat e këtij fenomeni janë diskutuar gjerësisht midis analistëve të ekonomisë dhe grupeve të interesit. Në tërësi, diskutimi profesional përqendrohet në dy tema kryesore.
Së pari, nëse forcimi i kursit të këmbimit bazohet në përmirësime reale dhe strukturore të ekonomisë sonë, apo shpjegohet me arsye të tjera, ku si hipotezë primare sugjerohet prania e flukseve të larta hyrëse të euros informale.
Së dyti, nëse ky zhvillim duhet pranuar si lëvizje drejt një ekuilibri të ri dhe më të përshtatshëm në aspektin makroekonomik, apo nëse ai është një zhvillim i dëmshëm për ekonominë dhe tregjet financiare shqiptare.
Artikulli në vijim synon të paraqesë – edhe një herë e në mënyrë të përmbledhur – këndvështrimin e Bankës së Shqipërisë mbi këto çështje.
Në një regjim të lirë të kursit të këmbimit, sikundër aplikohet në Shqipëri, dinamika e kursit është funksion i raportit të kërkesës dhe ofertës për valutë. Në mungesë të ndërhyrjeve të autoriteteve publike, ky raport diktohet nga forcat e tregut dhe u përgjigjet trendeve ekonomike e financiare të vendit. I parë në këtë kontekst, forcimi i kursit të këmbimit të lekut gjatë vitit 2023 sugjeron praninë e një teprice oferte valute në tregun e brendshëm valutor. Analiza e informacionit të disponuar tregon se kjo tepricë është diktuar nga përmirësimi i fortë dhe i vazhdueshëm i bilancit të shkëmbimeve tregtare e financiare me jashtë gjatë dy viteve të fundit.
Në një këndvështrim të përgjithshëm, teprica e ofertës valutore në tregun e brendshëm (Grafikët 2 dhe 3) diktohet nga rënia e shpejtë e deficitit tregtar dhe atij të llogarisë korrente gjatë viteve të fundit (Grafiku 2) dhe përmirësimi i raportit të financimit të tij me Investime të Huaja Direkte.
Në 9-mujorin e parë të vitit 2023, llogaria korrente ka rezultuar për herë të parë në histori në suficit.
Në raport ndaj PBB-së, suficiti korrent vlerësohet në 0.2%, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, deficiti korrent ishte në masën 4.7% ndaj PBB-së. Ky zhvillim përfaqëson një përmirësim të shpejtë e të paprecedentë të bilancit të jashtëm të ekonomisë shqiptare, të nxitur nga përmirësimi strukturor i bilancit të shkëmbimeve tregtare në mallra dhe shërbime.
Paralelisht me përmirësimin e bilancit tregtar dhe atë të llogarisë korrente, Investimet e Huaja Direkte kanë pasur një trend të qartë rritës gjatë viteve të fundit. Për pasojë, raporti i tyre ndaj deficitit të llogarisë korrente ka pasur trend të vazhdueshëm rritës (Grafiku 3, paneli majtas). Vlera pozitive e këtij raporti tregon se flukset valutore të gjeneruara nga Investimet e Huaja Direkte (hyrje valute) janë më të larta se deficiti i llogarisë korrente (dalje valute). Kjo dinamikë rezulton në një tepricë oferte në tregun vendas dhe në një mbiçmim të kursit të këmbimit.
Gjithashtu, ky grafik sugjeron dhe dy konkluzione paraprake: (i) Shqipëria ka pasur historikisht një tepricë hyrjesh valutore në vend, çka dikton dhe një trend gradual forcimi të kursit të këmbimit, dhe (ii) momentet e rritjes së shpejtë të këtij raporti (periudha 2017 – 2018 dhe 2022 – 2023) përkojnë dhe me periudhat e forcimit të shpejtë të kursit të këmbimit të lekut ndaj euros.
Paralelisht me përmirësimin e bilancit tregtar dhe atë të llogarisë korrente, Investimet e Huaja Direkte kanë pasur një trend të qartë rritës gjatë viteve të fundit. Për pasojë, raporti i tyre ndaj deficitit të llogarisë korrente ka pasur trend të vazhdueshëm rritës. Vlera pozitive e këtij raporti tregon se flukset valutore të gjeneruara nga Investimet e Huaja Direkte (hyrje valute) janë më të larta se deficiti i llogarisë korrente (dalje valute). Kjo dinamikë rezulton në një tepricë oferte në tregun vendas dhe në një mbiçmim të kursit të këmbimit.
Gjithashtu, ky grafik sugjeron dhe dy konkluzione paraprake: (i) Shqipëria ka pasur historikisht një tepricë hyrjesh valutore në vend, çka dikton dhe një trend gradual forcimi të kursit të këmbimit, dhe (ii) momentet e rritjes së shpejtë të këtij raporti (periudha 2017 – 2018 dhe 2022 – 2023) përkojnë dhe me periudhat e forcimit të shpejtë të kursit të këmbimit të lekut ndaj euros.
Në analizë të fundit, reduktimi i deficitit tregtar dhe i deficitit të llogarisë, rritja e tepricës së valutës në treg dhe forcimi i kursit të këmbimit, janë diktuar nga trendi rritës i eksporteve shqiptare dhe dinamika në kohë e tyre. Ky trend filloi të bëhet i dukshëm gjatë periudhës 2016 – 2018, u ndërpre nga goditjet e tërmetit dhe të pandemisë dhe u rishfaq më i fortë gjatë dy viteve të fundit. Kjo dinamikë ilustrohet edhe në Grafikun 5; paneli i majtë i tij pasqyron ecurinë e eksporteve ndaj PBB-së dhe paneli djathtas ndryshimet vjetore të tyre. Të dy këta tregues sugjerojnë një rritje të shpejtë të eksporteve totale të mallrave e shërbimeve gjatë dy viteve të fundit.
Po ashtu, ky grafik sugjeron se rritja e eksporteve është diktuar, në masën më të madhe, nga rritja e eksportit të shërbimeve, ku turizmi zë vendin parësor, dhe më pak nga rritja e eksportit të mallrave./ Revista “Monitor”