Themeluesi i lëvizjes “Zgjidhja” brenda grupit socialist Koço Kokëdhima, i bën thirrje qeverisë që të mos injorojë protestën e opozitës, por të ulet në bisedime me të dhe partitë e tjera. Ai ka dalë edhe njëherë tjetër kundër kryeministrit Edi Rama, vetëm se këtë radhë akoma më haptas. Madje i kërkoi që t’i marrë seriozisht edhe kërkesat e saj për zgjedhjet e 18-qershorit.
Nga ana tjetër, Kokëdhima i bën thirrje edhe opozitës që të vijojë me debatin parlamentar dhe t’i japë fund bojkotit.
“Qeveria nuk duhet që të injorojë as protestën e opozitës dhe as zërat e tjerë që kërkojnë një transformim radikal të sistemit zgjedhor. Qeveria duhet të ulet menjëherë në bisedime me opozitën dhe me partitë e tjera, të ulet pa kushte dhe me respekt. Peticionet e saj me tenda, janë iracionale dhe joserioze, janë si antimitingjet e Saliut. Shqetësimet e çdo force politike për zgjedhjet janë të përligjura. Por nga ana tjetër, Basha duhet të kërkojë falje të thellë për shkatërrimin e institucionit të zgjedhjeve në vite nga Partia Demokratike dhe për mbjelljen e kulturës së vjedhjes së votës në Shqipëri.
Opozita ka përgjegjësi të vijojë edhe me debatin parlamentar. Nuk ka arsye që përfshirja në protesta të ndërpresë aktivitetin parlamentar të opozitës. Basha të pastrojë ligjërimet nga retorika e dhunës dhe e anarkisë. Shqipëria ka vuajtur shumë nga politika konfliktuale. Vendi ka ekuilibra shumë të brishtë dhe rrezikon që të rrëshqasë në situata më të tensionuara e në dhunë. Kjo do ishte me pasoja të këqia social-ekonomike dhe politike.
Qeveria ka përgjegjësinë që t’i krijojë besim opozitës dhe të gjithë aktorëve të tjerë për zgjedhjet. Rama ka pjesën e tij të mëkatit për këtë tranzicion të dështuar dhe për këtë derexhe ku janë zgjedhjet dhe demokracia jonë. Ai duhet të merret seriozisht me kërkesat e opozitës për zgjedhjet. Nuk ka asgjë më të rëndësishme në axhendën politike të Shqipërisë se sa zgjedhjet e 18 qershorit..”, tha Kokëdhima.
Ndër të tjera, nga takimi në Durrës, ish-deputeti socialist tha që kryeministri Edi Rama duhet t’i kërkojë falje shqiptarëve për fenomenin e vjedhjes së votave.
“Kryeministri duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve për pjesën e tij të përgjegjësisë lidhur me korrupsionin elektoral të së majtës gjatë këtyre viteve. Partitë e mëdha duhet ta kuptojnë se ka ardhur koha që të ndahen nga çdo përpjekje për të përfituar pandershmërisht në zgjedhje, qoftë drejtpërdrejt, qoftë duke financuar strukturat parapolitike aleate të tyre, që janë gati ta bëjnë pis tapetin elektoral të 18 qershorit. Ndryshe do kemi ditë më të këqia përpara. Situata do të mbarset me paqëndrueshmëri dhe eksplozione të reja sociale.”, tha Kokëdhima.
Kreu i lëvizjes “Zgjidhja”, bën gjithashtu me dije se në zgjedhjet e 18 qershorit do të shkojë brenda listës së Partisë Socialiste.
Shumë mbështetës na propozojnë e kërkojnë që ta kthejmë lëvizjen në parti politike dhe të shkojmë në zgjedhjet e qershorit me listën tonë të kandidatëve për deputetë. Për këto ide e propozime do të diskutohet e vendoset në konferencën e parë kombëtare të lëvizjes në fund të marsit. Mendimi im personal është se “Zgjidhja” nuk do dalë me listën e saj jashtë Partisë Socialiste në zgjedhjet e 18 qershorit. Ajo do të vazhdojë në rrugën e vetë si lëvizje politike brenda Partisë Socialiste. Gjithsesi vendimi për këtë do jetë kolegjial. (D.D/Shuplaka)