Kjo përplasje sipas tij mes dy forcave politike të koalicionit qeveritar, do të vijë për shkak të kandidaturës së LSI për President, i cili do të jetë Adriatik Llalla.
“Pas një muaji do të kemi zgjedhjen e Presidentit, para zgjedhjeve parlamentare. Ky do të jetë momenti i një krize politike, për faktin se LSI dhe Ilir Meta po presin këtë moment nëse Rama do t’i qëndrojë marrëveshjes që të zgjedhë LSI Presidentin. Meta e ka shprehur hapur që nuk do të jetë ai Presidenti. Nga informacionet e fundit që ne kemi sot, LSI do të dalë me një propozim konkret, që do të jetë Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, kandidat për President i Republikës. Mendojmë që kjo nuk do të mirëpritet nga disa socialistë por le të shikojmë në ditët e ardhshme nëse do të sjellë një moment përplasjeje mes LSI dhe PS. Lufta brenda llojit do të çojë në një luftë institucionale parlamentare, për shkak të mos dakordësisë që do të kenë këto dy forca politike, sepse vet PD nuk i ka votat për të propozuar një kandidat për president”, tha Spahiu.
Kushtetuta e parashikon që procedura e Presidentit të ri të nis jo më vonë se data 14 prill. Mandati i Presidentit aktual, Bujar Nishani zgjat deri më datën 24 korrik, që është data e betimit të tij në Parlament 5 vite më parë. Zgjatja e mandatit të një kreut të Shtetit ndodh vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe nuk parashikon zgjatje të mandatit deri në momentin që zgjidhet pasuesi i Presidentit aktual, thuhet në Kushtetutë. Presidenti Bujar Nishani e ka bërë betimin përpara Kuvendit në datë 24 korrik 2012 ndaj, sipas dispozitës në Kushtetutë, mandati i tij përfundon në datë 24 korrik 2017.
(M.D/ Shuplaka)