Komisioneri Johannes Hahn ka reaguar pas deklaratave të fundit të ministres së Integrimit, Klajda Gjosha dhe atij të Drejtësisë, Ylli Vasili, mbi ONM-në, të cilët e cilësuan bordin si antikushtetues.
Në përgjigjen e tij, Hahn shprehet se bordi i Menaxhimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit nuk është mbi ONM, por pjesë e tij. Sipas tij, nuk ka asnjë shkelje ligjore dhe bordi garanton koordinimin e aktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë të përfshirë në ONM.
“S’ka shkelje ligjore kushtetuese në bordin e menaxhimit të ONM-së. Vettingu u hap rrugë negociatave, ONM rrit besueshmërinë. Për Vetting-un shqiptar BE ka dhënë një fond prej 10 milionë euro.”, është shprehur ndër të tjera komisioneri Hahn.
Tri ditë më parë, ministrja Gjosha mbështeti shqetësimin e ngritur nga Ministri i Drejtësisë Vasili për çështjen e ONM-së. “Në asnjë moment, as Kushtetuta dhe as dispozitat ligjore nuk përcaktojnë ngritjen e një strukture mbi Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit siç parashikohet në shkresën e znj. Calavera, Bordi i Menaxhimit të ONM-së”,citohej në letrën e Gjoshës drejtuar Hahn.
Ajo i kërkoi Hahn që të ndërhynte sërish për të rikthyer frymën konsensuale në zbatimin e reformës në drejtësi. (XH.A/SHUPLAKA)