Kryetari i Kuvendit Ilir Meta është takuar edhe me eurokomisionerin për zgjerimin, Johannes Hahn. Eurokomisioneri Hahn në këtë takim u shpreh se suksesi i reformës në drejtësi dhe ligji i dekriminalizimit në Shqipëri do të prodhojë lajme të mira për gjithë rajonin e Ballkanit, i cili ka nevojë për momente pozitive.
Sipas eurodeputetit Hahn Shqipëria ka shënuar progres në përmbushjen e prioriteteve duke falenderuar kreun e Kuvendit Meta për mbështetjen e vazhdueshme gjatë miratimit konsensual në Kuvend, dhe në fazën e zbatimit me sukses të reformës në sistemin e drejtësisë, e cila është kyçe për integrimin evropian të vendit.
Kryetari Meta nga ana e tij shprehu mirënjohjen për Hahn për punën e Komisionit Europian në hartimin e progres-raportit të fundit për Shqipërinë dhe rekomandimin pozitiv në mbështetje të hapjes së negociatave për anëtarësim.
“Shqipëria shpreson që edhe Këshilli të ndajë të njëjtin opinion me Komisionin, gjatë mbledhjes së tij të ardhshme gjatë këtij muaji”, u shpreh Meta.
Në këtë takim u diskutua edhe për situatën në rajon dhe u theksua se Ballkani ka nevojë për forcim të stabilitetit, ndërlidhjes dhe sigurisë. Në këtë kontekst marrëdhëniet solide të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal duhet të shkojnë vetëm drejt forcimit dhe intensifikimit, me të gjithë fqinjët dhe vendet e tjera të rajonit.