Deputetja e Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmataj, ka reaguar pas tragjedisë së ndodhur sot në bregdetin e Vlorës, ku humbën jetën katër të rinj.
Hajdarmataj e cilëson këtë sezon pushimesh “të trishtë” për shqiptarët për shkak të mundesës së sigurisë. Deputetja shprehet se ndërkohë që çdo ditë humb jetën të paktën një pushues në bregdetin shqiptar, kryeministri dhe ministrant ndodhen me pushime brenda dhe jashtë vendit.
“Një i ri nga Tetova, sakrifikoi jetën për të shpëtuar motrat shqiptare. Akti më fisnik, më i jashtëzakonshëm që na drithëroi shpirtin të gjithëve.
Por kryeministri e ministrat, në pushime jashtë e brenda vendit, në lluks e në siguri personale, heshtin dhe nuk japin asnjë sqarim, pse çdo ditë humb jetën të paktën një pushues në bregdetin shqiptar.”, shkruan deputetja.
Kujtojmë se katër të rinj kanë humbur jetën ditën e sotme. I pari ishte një 14-vjeçar, i cili u mbyt pranë zonës së Ujit të Ftohtë.
Pak orë pas tij, në Zvërnec u mbytën tre të rinj të tjerë. Dy vajza nga Vlora dhe një djalë nga Tetova e Maqedonisë. Ky i fundit ishte futur në det për të shpëtuar dy vajzat që po mbyteshin, pas thirrjes për ndihmë të motrës së tretë të tyre. Në përpjekje për të shpëtuar vajzat e panjohura, Benjamin Ferati u mbyt edhe vetë.
Sjellim ndërmend se mbi 40 të rinj që përpara 2 vitesh u trajnuan në vendet e rajonit dhe në Shqipëri me ekspertë të edukimit fizik në universitetin e Sporteve por të cilët përfunduan të papunë. Bëhet fjalë për projektin e “Baywatch-ve”-rojeve në bregdete të certifikuar për sigurinë në plazhe, projekte që ka shkuar në miliona lekë por që sot nuk u erdh në ndihmë asnjërit prej të rinjve.
REAGIMI I PLOTË I HAJDARMATAJT
Shqipëria më e zezë sot se dje.
Shqiptarët të shokuar, nga dhimbja për jetët e humbura tragjikisht në ujrat e Adriatikut në Vlorë.
Një i ri nga Tetova, sakrifikoi jetën për të shpëtuar motrat shqiptare. Akti më fisnik, më i jashtëzakonshëm që na drithëroi shpirtin të gjithëve.
Por kryeministri e ministrat, në pushime jashtë e brenda vendit, në lluks e në siguri personale, heshtin dhe nuk japin asnjë sqarim, pse cdo ditë humb jetën të paktën një pushues në bregdetin shqiptar.
Ky është sezoni më i trishtë i pushimeve për shqiptarët, si në sigurinë e munguar të jetës, në cmime stratosferike, në thatësirën e ujit, në higjienën e cënuar, në mjedisin e ndotur, në rrugët e bllokuara,…..e plot premtime të pambajtura të qeverisjes “Rama 1” dhe asaj në pritje “Rama 2”.
Vendi ngjan si në një zi të zgjatur… (D.D/Shuplaka)