Mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria janë mbledhur para Kryeministrisë për të protestuar kundër qeverisë Rama, ndërsa situata është ndezur dhe nga përgjimet e tabloidit BILD.
Ndaj godina e kryeministrisë po mbrohet nga dhjetëra policë të cilët do të jenë vija e parë e zjarrit nëse protestuesit do të synojnë institucionin.
Por ndërsa tensioni është i vazhdueshëm njëri prej protestuesve u ka kërkuar të policëve të bashkohen me ta.
“Pse rrini aty, çfarë prisni. Ejani”, dëgjohet qytetari teksa u drejtohet policëve me radhë. Disa prej tyre buzëqeshin, të tjerë ruajnë seriozitetin.
Opozita e bashkuar sot mban protestën e 8-ë kombëtare, ndërsa prej 16 shkurtit ka nisur një sagë protestash para Kryeministrisë, Parlamentit dhe institucioneve më të rëndësishme në vend. Protestë kjo që shoqërohet me vendimin e presidentit Meta për të shtyrë zgjedhjet lokale të 30 Qershorit.
Deputetët e PD-së dhe LSI-së vendosën të digjnin mandatet e tyre në shkurt të këtij viti pas zbulimit të disa hetimeve të prokurorisë së Krimeve të Rënda se zyrtarë të lartë kanë ndërhyrë nëpërmjet shitblerjes së votës në zgjedhjet e shkuara parlamentare.
Kjo kauzë e opozitës u përforcua dhe pas artikullit të tabloidit gjerman BILD ku u publikuan 6 përgjime të bisedave të zyrtarëve të lartë të PS-së në Durrës me eksponentë të rrezikshëm të krimit, jo vetëm në vend.
Lideri i PD-së, Lulzim Basha në protestën e së dielës së shkuar paralajmëroi se nuk do të kishte më fjalë dhe se në protestën e ardhshme fjala do ti lihej sovranit.